24 Nëntor, 2020 - 2:20 pm
Ylli irlandez, Paul Mescal, do të pranojë çmimin “Hugo Boss Breakthrough Actor Of The Year” në ceremoninë e ardhshme të ndarjes së shpërblimeve, “GQ Men Of The Year Awards”.
Aktori 24-vjeçar është përzgjedhur ta pranojë këtë trofe, për ta nderuar performancën e tij të jashtëzakonshme në serinë, “Normal People”, e cila i rrëmbeu zemrat e njerëzve me t’u lansuar gjatë periudhës së parë të karantinës, transmeton Koha.
Gjatë një interviste për revistën “GQ”, aktori e ka pranuar se e ka pasur të vështirë ta marrë vendimin rreth karrierës të cilën dëshiron ta ndjekë, sepse nuk ka dashur të përfundojë me një profesion nga i cili do të mërzitej shpejtë.
Aktori irlandez po ashtu ka treguar për një lëndim të madh të cilin e kishte pësuar, që ka bërë që ai të mos luante më futboll dhe kështu ka përfunduar duke e kthyer fokusin drejt aktrimit.
Paul Mescal së fundmi ka pasur rastin ta shikoj serinë “Normal People”, bashkë me kolegen e tij në film, Daisy Edgar-Jones. Kjo ishte hera e parë që dy protagonistët e kanë shikuar produktin final të punës së tyre në këtë seri.
Ceremonia “GQ Men Of The Year Awards 2020” e cila organizohet në bashkëpunim me kompaninë “Hugo Boss”, do të transmetohet në kanalin e revistës “GQ” në YouTube, të enjten më 26 nëntor.