22 Qershor, 2018 - 4:00 pm
Disa studime kanë treguar tashmë se telefonat e mençur perceptohen si shtesa apo zgjatime të trupit tonë dhe ne i bartim ata nga shtrati deri në tualete.
Studimi global i prezantuar kohët e fundit ka treguar gjithashtu se njerëzit kanë nevojë për më shumë ekuilibër mes telefonit dhe jetës reale. Studimi i titulluar “Phone-Life Balance Study” u zhvillua në partneritet mes Motorola dhe dr. Nancy Etcoff, eksperte në fushën e sjelljes të lidhur me aktivitetin tru-mendje dhe shkencën e lumturisë (Mind-Brain Behavior and the Science of Happiness) në universitetin e Harvardit.
Studimi ka treguar se njerëzit u japin më shumë përparësi telefonave të tyre në krahasim me të dashurit e tyre, ndërkohë që më alarmant është fakti i lidhur me gjeneratat e reja që po rriten në botën digjitale, transmeton koha.net.
Madje një e treta e të anketuarve e vendosën telefonin e mençur përpara shoqërimit me të dashurit e tyre. Për ta më e rëndësishme është të “shoqërohen” me telefona të mençur sesa me familjen, miqtë, fëmijët ose partnerët.
Problemi i varësisë së tillë është më i theksuar në “gjeneratën Z”, përfaqësuesit e së cilës në më shumë se 50 për qind të rasteve e quajnë smartphonin e tyre “shokun e tyre më të mirë”.
Megjithatë, njerëzit janë të vetëdijshëm për varësinë dhe nevojën për një marrëdhënie më të ekuilibruar mes botës reale dhe telefonave mobilë. Kështu, 61 për qind e tyre e duan një ekuilibër më të mirë dhe një jetë më të mirë kur nuk e përdorin telefonin. Pothuajse i njëjti numër i të anketuarve mendon se është e rëndësishme ta kesh një jetë edhe kur nuk jeni “në një telefon të mençur”.
Megjithëse studimi e ka zbuluar një sërë sjelljesh problematike që lidhen me përdorimin e tepruar të telefonave të mençur, tre prej tyre shquhen veçanërisht, transmeton koha.net.
Verifikimi kompulsiv i telefonit është i pranishëm në pothuajse gjysmën e të anketuarve.
Koha e shumtë e kaluar duke e përdorur telefonin e mençur është një problem për më shumë se një të tretën e të anketuarve. Këta të anketuar mendojnë se do të ishin më të lumtur sikur ta kalonin kohën e tyre pa telefon të mençur.
Varësia emocionale është problemi më i madh që lidhet me përdorimin e tepruar të një telefoni të mençur. Madje 65 për qind e të anketuarve ndjejnë “panik” kur nuk e kanë telefonin e mençur pranë vetes dhe një e treta e pranon se edhe kur nuk përdorin telefon të mençur, ata mendojnë se kur duhet ta përdorin përsëri.
Pikërisht për shkak se me përdorimin e telefonit të mençur janë të lidhura emocionet si lumturia dhe kënaqësia, është e vështirë t’i ndryshosh shprehitë e “këqija”. Nxitjet e sjelljes, kontrolli hapësinor dhe vetëdija kanë të ngjarë të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit të varësisë, beson dr. Etcoff.
Një nga ndihmat e mundshme është aplikacioni SPACE, i cili “të varurit” i ballafaqon me një program 60-ditor për t’ua rritur ndërgjegjësimin për sasinë e përdorimit të telefonave të mençur. Me ndihmën e këshillave të thjeshta, SPACE mund të mësojë se si ta rikthejë ekuilibrin midis jetës reale dhe telefonave të zgjuar.
Mund të jetë paksa ironike që një vetëdijesim i caktuar për varësinë nga telefoni të kryhet në po të njëjtin telefon, por nëse i ndihmon njerëzit, pse jo…