20 Qershor, 2022 - 12:30 pm
Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival kanë bashkuar forcat për ta rikthyer festivalin Sunny Hill në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sot ka njoftuar se Festivali po rikthehet në Prishtinë në datat 4,5,6 dhe 7 gusht 2022 i cili do të mbahet në një lokacion të përshtatshëm.
Në frymën e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, një edicion i veçantë me një line-up tjetër do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht.
Ky lajm duket se e ka gëzuar edhe vetë artisten Dua Lipa e cila ka reaguar përmes një statusi në Instagram teksa shprehet shumë e lumtur.
“Me një zemër të plotë dhe të lumtur, jam krenare të them se është vendosur që festivali ynë Sunny Hill të vazhdojë në bazën e tij në 4,5,6,7 gusht në Prishtinë, Kosovë dhe tani do të bëjmë edhe 26, 27,28 Gusht në Tiran, Shqipëri. Mezi presim t’ju shohim të gjithëve atje! Më shumë detaje do të zbulohet së shpejti. Me dashuri Dua”. / KultPlus.com