Revista “Women’s Wear Daily”: Stili i pazakontë i kryeministrit të Shqipërisë (FOTO)

31 Tetor, 2017 - 10:18 pm

Women’s Wear Daily është një revistë që i kushtohet modës dhe trendeve të fundit kryesisht për femrat, por në një editorial për Shqipërinë, revista e njohur bën një përjashtim.

Me autorësi të David Moin, revista i kushton një hapësirë të gjerë stilit të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe e nis me samitin e Triestes dhe atletet e famshme Adidas.

Në korrik, në Trieste u zhvillua samiti i radhës për të ashtuquajturin “Procesi i Berlinit”, që synon t’i japë një tjetër hov rrugës integruese të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, shkruan TCH.

Në samit merrnin pjesë udhëheqës të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe përfaqësues të lartë të vendeve të Bashkimit Europian.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u paraqit me një kostum dhe një palë atlete Adidas me vija të kuqe. E mes lajmeve të politikës, pikërisht këto të fundit nuk kaluan pa u vënë re. “Praktikisht isha lajmi më i madh i samitit”, deklaronte Rama me shaka.

“Presidenti francez më tha se i pëlqeu, kështu që i bleva edhe atij një palë atlete Adidas sapo u ktheva në shtëpi. Por, për të i zgjodha me shirita blu dhe të kuqe, për të pasur një kombinim perfekt me ngjyrat e flamurit francez”, vijon ai.

Revista thotë se 53-vjeçari Rama nuk është një shtetar i tradicional. Ai është një artist me një shije të veçantë kur flitet për veshjen. Ish-basketbollisti i kombëtares shqiptare, ku luajti deri në moshën 27-vjeçare rrëfen se shndërrimi në politikan “profesionist” nuk ka qenë prioriteti i tij dhe se ende vazhdon pasionin e tij të parë; pikturën…madje edhe në takime politike.

“Më ndihmon të përqendrohem. Kur isha ministër i Kulturës, detyra ime e parë publike, më duhej që të shkoja në mbledhjet e Këshillit të Ministrave dhe nuk arrija të përqendrohesha tek ato që fliteshin aty. Kishte mbledhje që zgjatnin për orë me radhë dhe unë isha gjithë kohës duke vizatuar tek dekretet që kisha në tryezë”, tregon Rama për WWD.

Revista përmend edhe zyrën “e pazakontë” të Kryeministrit dhe më pas lidh modën me ekonominë e vendit.

“Prodhimi i veshjeve dhe këpucëve përbëjnë 40 për qind të eksporteve të Shqipërisë, afërsisht 500 mln euro në vit që eksportohen kryesisht në Itali, Greqi dhe Gjermani”, thotë revista.

“Prodhojmë për shumë shtëpi të mëdha mode, përfshi Versace, Dolce & Gabbana, Gucci. Krahu u punës këtu është më i liri në të gjithë Europën dhe këtu mund të prodhohet me kosto më të lirë se në Kinë”, thotë Kryeministri Rama.

E duke lënë mënjanë modën, Kryeministri flet edhe për integrimin. Ai thotë se ky proces kërkon kohë.

“Varet nga gjendja psikologjike dhe financiare e Europës, por edhe nga reformat në vendin tonë”, shton ai. / KultPlus.com

Të ngjajshme