21 Prill, 2020 - 3:30 pm
Komediani britanik kontrovers, Ricky Gervais, në të kaluarën e ka prezantuar ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve “Glob i Artë”, në vitet 2010, 2011, 2012, 2016 dhe 2020, por tani ai e pranon se do t’i pëlqente ta sfidojë veten në rolin e prezantuesit të ceremonisë më të rëndësishme në kinematografi, atë “Oscar”.
Por kushti i vetëm i tij për ta pranuar një përgjegjësi të tillë është, nëse Akademia e Artit dhe Shkencave do t’i jepte liri të plotë në këtë detyrë, transmeton Koha.
I pyetur nga revista “GQ Hype” nëse ndonjëherë do t’i pëlqente ta prezantoj ceremoninë “Oscar”, Gervais tha: “Po, por ata nuk do të ma kërkojnë kurrë një gjë të tillë. Sepse unë nuk do të pranoja ta prezantoja këtë ceremoni në mënyrën e tyre. Por, nëse do të më thoshin se mund të them çfarë të dua dhe do të kem liri të plotë në kryerjen e kësaj detyre, atëherë do të ishte një ofertë tunduese për mua. Dhe pavarësisht se e di që gjërat nuk do të shkonin mirë, sepse jam i bindur që do të ndodhte kështu, prapë do ta pranoja këtë detyrë.”
Edhe pse 58-vjeçari, Gervais, në të kaluarën është kritikuar për humorin e tij të ashpër gjatë prezantimit të ceremonisë “Globi i Artë”, ai e pranon se i ka pëlqyer rikthimi në rolin e prezantuesit edhe sivjet, duke thënë gjithashtu se mendon që kjo ishte performance e tij më e mirë deri më tani.
Sidoqoftë, aktori e ka zbuluar faktin se shakatë e tij të shkruara për këtë ceremoni, ishin dashur të aprovohen nga një avokat, para se ai të dilte në skenë për ta udhëhequr këtë ngjarje. / KultPlus.com