Rihanna e fokusuar t’i ndihmojë njerëzit dhe jo ta lansojë albumin e ri

14 Prill, 2020 - 10:45 am

Këngëtarja shumë e dashur për publikun mbarëbotëror, Rihanna, u ka kërkuar fansave të mos e pyesin më se kur do ta lansojë albumin e ri muzikorë, derisa është tejet e zënë duke provuar ta shpëtojë botën.

Pop ylli i njohur që nga viti 2018 po i ngacmon fansat rreth publikimit të albumit të ri, dhe vitin e kaluar u kishte premtuar atyre përmes Instagramit se do ta sjellte këtë incizim gjatë vitit 2019.

Sidoqoftë, albumi nuk është publikuar ende, transmeton Koha.

Gjatë një transmetimi të fundit live në Instagram, disa adhurues tentuan të nxjerrin informacione nga këngëtarja rreth datës së lansimit të albumit, dhe e acaruar dhe me një dozë të humorit, Rihanna iu përgjigj troç: “Do të hidhërohem shumë nëse edhe ndonjëri prej jush më pyet rreth albumit tim, në këtë kohë kur po mundohem ta shpëtoj botën, për dallim prej presidentit tuaj.”

Muajin e kaluar, këngëtarja i kishte dhuruar 5 milionë dollarë për t’i ndihmuar shtetet e varfra të prekura nga pandemia e koronavirusit, krahas 700 mijë dollarëve që i kishte investuar për sigurimin e ventilatorëve në vendlindjen e saj, Barbados. Rihanna, po ashtu ka dhuruar të holla për sigurimin e pajisjeve mbrojtëse për personelin shëndetësor në New York, si dhe i ka dhuruar më shumë se 2 milionë dollarë për viktimat e abuzimit familjarë të prekura nga kjo krizë globale.

Së fundmi u bë i ditur lajmi se babai i këngëtares, Ronald Fenty, ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Ylli i muzikës menjëherë i ka dalë në ndihmë atij, duke ia dhuruar një ventilator i cili ia lehtëson frymëmarrjen.

Derisa adhuruesit e saj e presin me padurim albumin e ri, Rihanna për portalin “Entertainment Tonight” kishte deklaruar se i pëlqen t’i kundërshtojë fansat e saj, sidomos kur vjen puna te vonesat e lansimit të albumeve.

“Puna rreth albumit është duke vazhduar. Më pëlqen t’i kundërshtoj fansat paksa… sepse edhe ata e bëjnë të njëjtën gjë me mua,” citohet të ketë thënë këngëtarja.

Rihanna nuk ka lansuar album muzikor që nga ai i vitit 2016, “ANTI”, kjo pasi është fokusuar më shumë në bizneset e saj si, “Fenty Beauty”, “Savage X Fenty” dhe “Fenty Maison”. / KultPlus.com

Të ngjajshme