5 Qershor, 2019 - 4:00 pm
Rihanna është shpallur këngëtarja më e pasur në botë.
Një klasifikim i revistës “Forbs” thotë se të ardhurat e këngëtares arrijnë në rreth 530 milionë euro. Ndërkohë, në listën prestigjoze bie në sy edhe rritja e numrit të grave miliardere.
Famë dhe bukuri, por jo vetëm. Rihanna është edhe artistja grua më e pasur në botë. Kështu thotë një klasifikim i hartuar nga revista “Forbes”, që rendit gratë me të ardhura më të larta të Amerikës. Vetëm 31 vjeç, këngëtarja nga ishujt Barbados është renditur në pozicionin e 37, me një pasuri të llogaritur rreth 530 milionë euro, duke lënë pas kolege si Madona, që nuk i kalon 500 milionët, Celine Dion me 400 milionë dhe Beyonce’, me 350, përcjell abcnews.
Por të ardhurat e Rihannës nuk vijnë vetëm nga muzika. Këngëtarja është edhe një sipërmarrëse falë punës që zhvillon në fushën e modës, bizhuterive dhe bukurisë. Të ardhurat minimale për të hyrë në listën prestigjoze është 225 milionë dhe nuk ka kufij moshe, që kryesisht varion nga 21 deri në 92 vjeç. Në Shtetet e Bashkuara janë gjithnjë e më shumë gratë biznesmene, aq sa revistës i është dashur ta zgjasë listën me 80 pozicione, një e treta më shumë se ajo e 2018-s. Thuajse gjysma e pasanikeve, rreth 37, jetojnë në kaliforni, 9 kanë zgjedhur Nju Jorkun, ndërsa 16 kanë lindur jashtë Shteteve të Bashkuara. Në listën e hartuar për këtë vit, numri i femrave miliardere është rritur në 25, një më shumë se ai i vitit të kaluar.