24 Shkurt, 2020 - 10:00 am
Pop ylli i njohur botëror e bëri një paraqitje të rrallë këtë fundjavë, për ta pranuar shpërblimin “President’s Award”, në edicionin e 51-të të ceremonisë së përvitshme “NAACP Image Awards”, ngjarje kjo e cila i nderon më të mirët në film, televizion, muzikë dhe literaturë, në komunitetin afrikano-amerikan.
Këngëtarja e famshme e pranoi shpërblimin në ceremoninë e cila zuri vend të shtunën mbrëma, në qendrën “Pasadena Convention Center”, ku e dha një fjalim që fokusohej në çështjet bamirëse të cilat ajo i mbështet.
“Kjo natë nuk ka të bëjë me mua, sepse qëllimi këtu është shumë më i madh, apo jo? Jo më i madh se të gjithë ne së bashku, por më i madh se unë, sepse roli im është shumë i vogël për gjithë punën e mrekullueshme që po bëhet anembanë botës dhe që pritet të bëhet në të ardhmen. Nëse ka diçka që e kam mësuar ndër vite, është se këtë botë mund ta rregullojmë vetëm të bashkuar. Nuk mund ta bëjmë këtë gjë të ndarë,” citohet të ketë thënë Rihanna në fjalimin e saj në skenë.
Shpërblimet “NAACP Image Awards” në kategoritë për muzikë i nderuan yjet, Lil Nas X i cili e fitoi çmimin “Artisti më i mirë i ri”, Bruno Mars u shpall “Artisti më i mirë mashkull”, Beyoncé i fitoi disa shpërblime përfshirë këtu kategoritë “Artistja më e mirë femër” dhe “Albumi më i mirë”, Lizzo e fitoi çmimin “Videoklipi më i mirë”, Kirk Franklin u nderua me shpërblimin “Kënga më e mirë kishtare” dhe Jazzmeia Horn fitoi në kategorinë “Albumi më i mirë i muzikës jazz”, transmeton Koha.net.
Në fillim të këtij muaji, Rihanna e konfirmoi lajmin se po kthehet në studion incizuese me producentin dhe këngëtarin, Pharrell Williams, teksa puna rreth albumit të saj të ardhshëm po vazhdon ende. Albumi i fundit i këngëtares “Anti” u lansua në vitin 2016. / KultPlus.com