13 Maj, 2020 - 1:28 pm
Gazeta “The Sunday Times” e ka publikuar listën e sivjetme të muzikantëve më të pasur nën moshën 30-vjeçare në Britani të Madhe, dhe në të përfshihen edhe dy këngëtaret me prejardhje kosovare, Rita Ora dhe Dua Lipa.
Këtë listë e kryeson kantautori 29-vjeçar, Ed Sheeran, i cili falë 40 milionë funteve të fituara gjatë vitit të kaluar, ka arritur ta krijojë një pasuri totale prej 200 milionë funtesh, transmeton Koha.
Top dhjetëshja e kësaj liste plotësohet me yjet, Sam Smith, i cili llogaritet ta ketë një pasuri prej 33 milionë funtesh, Rita Ora me 20 milionë funte dhe Dua Lipa, e cila sivjet ka debutuar në këtë listë dhe besohet se e posedon një pasuri prej 16 milionë funtesh. Por, pasuria e Lipas është në rritje çdo ditë e më shumë, falë projekteve të shumta të këngëtares përfshirë këtu edhe lansimin e albumit të saj të fundit, “Future Nostalgia”, i cili ka marrë vlerësime jashtëzakonisht të larta nga kritikët e industrisë së muzikës.
Pjesë e listës së sivjetme vazhdojnë të jenë edhe ish-anëtarët e bendit “One Direction” si: Harry Styles me 63 milionë funte, Niall Horan me 50 milionë funte, Louis Tomlinson me 45 milion funte, Liam Payne me 44 milionë funte dhe Zayn Malik me një pasuri prej 36 milion funtesh.
“The Sunday Times” gjithashtu e ka publikuar listën e muzikantëve më të pasur në Britani të Madhe, ku sivjet ka debutuar edhe ylli amerikan por që jeton në Angli, Rihanna. Ajo llogaritet ta ketë një pasuri prej 468 milionë funtesh dhe është pozicionuar e treta në këtë listë, pas yjeve, Andrew Lloyd-Webber dhe Sir Paul McCartney, me 800 milionë funte pasuri të llogaritur secili. / KultPlus.com