20 Tetor, 2017 - 10:13 am
William dhe Harry, pavarësisht statusit rojal, njihen ndryshe edhe për suportin e treguar ndaj rretheve të ndryshme artistike, e jo vetëm. Kur vjen puna tek këngëtarët e muzikës pop, nuk mund të lëmë pa përmendur faktin se Ellie Goulding performoi në dasmën e William dhe Kate, ndërsa këtë herë ka qenë një tjetër këngëtare e po së njëjtit zhanër, që u shfaq krahë vëllezërve, në Kensington Palace.
Artistja shqiptare, Rita Ora, ishte e ftuara speciale e William dhe Harry, në pritjen që këta të fundit mbajtën për Radio 1’s Teen Heroes 2017. Së bashku me Ritën, vëllezërit u takuan me finalistët e fituesit e çmimeve britanike, ndërsa vëmendja nuk mund të mos fokusohej tek këngëtarja. E përzgjedhur jo pa arsye, Rita do të jetë edhe një nga performueset e eventit të organizuar enkas për Radio 1’s Teen Heroes. Krahë saj, në skenë do të ngjitet edhe Dua Lipa, ndërsa emra të tjerë si: The Vamps, Camila Cabello etj, do të jenë të ftuarit VIP për celebrimin e çmimeve të fituara nga të rinjtë.
Paraqitur me një veshje elegante, Rita u fotografua teksa takohej me Princ William, ashtu sikurse u pa e pranishme krahë të dy vëllezërve përgjatë të gjithë pritjes. Sëbashku me të rinjtë e ftuar, William, Harry dhe Ora realizuan disa foto në pallatin mbretëror. Moderatorët e Radio 1, Nick Grimshaw, Greg James dhe Clara Amfo ishin gjithashtu të pranishëm në këtë ceremoni, ashtu sikurse ishin të ftuarit specialë nga William dhe Harry. Eventi për celebrimin e fituesve do të mbahet të dielën në Wembley Arena. / KultPlus.com