9 Mars, 2019 - 12:29 pm
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, është duke zhvilluar turneun e saj të koncerteve në mbarë botën.
Kontinenti i parë me të cilin ajo filloi ishte Australia, ku zhvilloi një sërë koncertesh në Melbourne, Sydney dhe Brisbane.
Teksa ishte atje, Rita ka qenë e ftuar edhe në disa emisione televizive dhe radio, ku ka folur ndër të tjerash rreth suksesit të albumit të saj më të fundit, “Phoenix” të publikuar në nëntor të vitit të kaluar.
E ftuar në një nga radiot më të njohura në Australi, Rita ka dhënë një intervistë shumë interesante, ku ndër të tjerash ka folur edhe për origjinën e saj shqiptare.
Në një video të dërguar nga lexuesit e Telegrafit, në valët radiofonike dëgjohet këngëtarja me prejardhje nga Kosova, teksa u mëson moderatorëve të emisionit disa fjalë në gjuhën shqipe.
Rita u tregon atyre se si thuhet në shqip “Si je? (How are you)”, teksa më pas u mëson atyre edhe përkthimin e fjalës “Congratulations” dhe “Happy Birthday”, që në shqip përkthehen si “Urime” dhe “Urime ditëlindjen”.
Megjithëse me pak vështirësi në të shprehur, Rita nuk e ka harruar gjuhën e saj amtare, të cilën e ka mësuar nga prindërit, dhe siç është shprehur ajo vet, në shtëpinë e saj flitet shqip.