10 Shkurt, 2021 - 3:17 pm
Këngëtarja e talentuar me prejardhje kosovare, Rita Ora, nuk do të kthehet në rolin e anëtares së jurisë në edicionin e ardhshëm të shout “The Masked Singer UK”.
Derisa shumë spekulojnë se Ora është përjashtuar nga ky shou si pasojë e kritikave të fundit që i ka marrë, për shkak të shkeljes së masave anti-COVID, raportohet se arsyeja e vërtetë e largimit të këngëtares dhe aktores së famshme, vjen si rezultat i udhëtimit të saj drejt Australisë, për të shërbyer në panelin e jurisë së shout “The Voice of Australia”, dhe kështu orari i saj nuk është përshtatur me orarin e xhirimeve të emisionit, “The Masked Singer”, i cili vjen me sezonin e ri kah fundi i këtij viti.
Ora ka qenë pjesë e këtij program shumë të ndjekur televiziv në dy sezone, duke sjell energji pozitive çka edhe e karakterizon atë si person. Por, nga momenti kur këngëtarja i theu rregullat e karantinës në Britani të Madhe, duke e organizuar një ndejë private për ditëlindjen e saj të 30-të, publiku në këtë shtet i është kthyer kundër dhe e kanë bërë Ritën cak të kritikave. Së fundmi ajo ishte sulmuar edhe për stilin e veshjes në këtë shou, për çka këngëtarja është përgjigjur: “Mendoj se stili i veshjes është diçka shumë personale dhe nëse dikujt nuk i pëlqen veshja ime, është në rregull. Ajo çka është e rëndësishme është se unë kam nevojë të kem vetëbesim dhe të ndihem rehat me veten. Kjo ka rëndësi për mua kur vjen puna tek stili im i veshjes”.
Rita Ora në edicionin e ardhshëm të “The Masked Singer UK”, besohet se do të zëvendësohet nga valltarja Oti Mabuse. Jonathan Ross, Davina McCall dhe Mo Gilligan, rikthehen në rolin e anëtarëve tjerë të jurisë, kurse Joel Dommett do të vazhdojë si prezantues i shout. / Koha.net / KultPlus.com