27 Shkurt, 2018 - 9:41 pm
Nën tingujt e muzikës së “Valles së Rugovës”, këngëtarja nga Kosova me famë botërore, Rita Ora, ka publikuar një video-ditar për performancën e saj për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Në disa pjesë të këtij ditari, krijuesja e hitit “Shine Ya Light”, klipin e të cilit e realizoi në Kosovë, flet edhe për vendlindjen e saj si pjesë të rëndësishme të jetës.
Përderisa mbetet e mahnitur me numrin e madh të njerëzve që ishin të pranishëm në koncertin e saj, Rita ka thënë se është krenare me prejardhjen e saj dhe se do të vazhdojë të punojë që Kosovën ta vendosë në hartën e botës.
“Është ditë e rëndësishme për mua sepse e di se çfarë rëndësie ka kjo ditë për familjen time dhe për shoqërinë. Do të jetë momenti im më i mirë në jetën time sepse është vendi im. Kurrë nuk kam pasur më shumë shikues se tani. Nuk e di se çfarë të bëjë”, ka thënë Rita në një pjesë të videos.
“Është vendi im dhe është diçka e veçantë të jetë ambasadore e këtij vendi. Të jesh femra e parë e këtij vendi që performon në botë është diçka e pabesueshme për ata. Vendi im është i vogël dhe i mungojnë këto koncerte. Më pëlqen të jem e para dhe më bën të jem krenare. Punoj shumë që ta vendosi vendim tim në hartë dhe do të vazhdojë të punoj”, ka thënë ajo në momentet e fundit të videos.