Rita Ora, tash e tri vite Ambasadore Nderi e Kosovës (FOTO)

10 Korrik, 2018 - 6:00 pm

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një pritje të veçantë organizuar në ambasadën e Kosovës në Londër, më 10 korrik të vitit 2015, i dorëzoi artistes me famë botërore, Rita Ora, Medaljen Presidenciale “Ambasadore e Nderit”, e Republikës së Kosovës në botë, shkruan KultPlus.

Në ceremoni morën pjesë edhe ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, George Robertson, ish-komandanti i KFOR-it, gjenerali Michael Jackson, përfaqësues diplomatikë në Londër dhe miq të Kosovës.

Këtë ngjarje e ka kujtuar sot edhe ambasadori i Kosovës në Londër, Lirim Greiçevci, i cili ka shpërndarë edhe fotografitë e këtij momenti e të cilat i ka shoqëruar me mbishkrimin “Kujtim i bukur nga shpallja e superyllit, Rita Ora, ambasadore nderi e Kosovës”.

Ky titull u jepet shtetasve të huaj dhe qytetarëve me origjinë kosovare, të cilët kanë kontribuar dhe kontribuojnë për interesin kombëtar të Kosovës. Sot, vetëm 3 vite pas kësaj ngjarje, yje të tilla si Rita Ora i janë shtuar listës, Dua Lipa, Era Istrefi e shumë të tjerë po vazhdojnë të na bëjnë krenarë çdo ditë e më shumë. /KultPlus.com


Të ngjajshme