29 Qershor, 2020 - 10:23 am
Grupi legjendar i muzikës rok ”Rolling Stones” ka kërcënuar presidentin amerikan Donald Trump me procedim ligjor për përdorimin e këngëve të tyre në mitingjet e tij, përkundër direktivave të ndalimit dhe mospërdorimit të tyre.
”Stones” përmes një deklarate theksoi se ekipi i tyre juridik po punon me organizatën e të drejtave të muzikës BMI për të ndaluar përdorimin e materialit të tyre në fushatën për rizgjedhjen e Trumpit.
“BMI e ka njoftuar fushatën e Trumpit në emër të ‘Stones’ se përdorimi i paautorizuar i këngëve të tyre do të përbëjë shkelje të marrëveshjes së saj të licencimit”, tha ”Stones”.
“Nëse Donald Trump nuk ndërpret përdorimin e materialit tonë dhe vazhdon, atëherë ai do të përballet me proces gjyqësor për thyerjen e embargos dhe për përdorimin e muzikës që nuk është licencuar”, shtoi grupi i muzkës rok.
”Stones” ishin ankuar gjatë fushatës së Trumpit në vitin 2016 për përdorimin e muzikës së tyre për të ndezur emocionet e përkrahësve të tij konservatorë në mitingje.
Kënga klasike e “The Rolling Stones” e vitit 1969, “You Can’t Always Get What You Want (Nuk mund të kesh gjithmonë atë që dëshiron)” ishte një këngë e famshme në mitingjet e tij./ atsh/ KultPlus.com