16 Gusht, 2018 - 4:57 pm
Dy shitës të biletave të kompanisë e cila ka qenë e kontraktuar për shitjen e biletave të festivalit “Sunny Hill” janë rrahur mbrëmjen e kaluar te Lagjja “Arbëria” në Prishtinë.
Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e ka konfirmuar rastin, por që nuk ka dashur që flas për arsyet e kësaj rrahje.
“Mund të ju them se gjashtë persona janë përfshirë në një rrahje në lagjen “Arbëria” në Prishtinë. Të njëjtit janë dërguar në stacionin policor. Policia është duke u marrë me rastin”, tha Ahmeti.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe njërin nga tre organizatorët e Festivalit Sunny Hill, Alban Katratin i cili ka konfirmuar rrahjen e dy shitësve.
“Mund të ju konfirmoj se dy shitës janë rrahur mes vete. Dy shitësit i kanë takuar dy agjencive të ndryshme, njëri nga kontraktori të cilin e ka kontraktuar Sunny Hill dhe tjetri nga nënkontraktori i cili po ashtu ka qenë nga festivali. Të dy agjencitë kanë shitur bileta të festivalit, ndërsa rrahja ka ndodhur pasi që dy palët nuk janë barazuar mes vete, ku në këtë rast nënkontraktori ka rrahur kontraktorin për shkak se nuk janë barazuar për numrin e saktë të parave të fituara nga biletat”, tha Kastrati.
Ai shtoi edhe se asnjëri nga ta nuk janë staf i Sunny Hill Festival janë vetëm kontraktor dhe nënkotraktorë të festivalit.