Sharon Stone kishte kaluar shtatë vjet për t’u shëruar nga goditja në tru

23 Korrik, 2019 - 9:20 am

Duke folur në ceremoninë humanitare kushtuar shëndetit të trurit të femrës në Los Angeles, aktorja e famshme amerikane Sharon Stone tha se si Hollywoodi ka qenë i tmerrshëm ndaj saj, kur ajo përjetoi goditje të rëndë në tru 18 vjet më parë.

Duke e treguar përvojën personale, aktorja theksoi se goditja në tru është shumë e rrezikshme dhe se për shërimin nga ajo nevojitet një kohë e gjatë, shkruan Variety.

“Shtatë vjet më janë dashur ta marr veten. Nëntë ditë kam pasur gjakderdhje truri. Kam përjetuar sjellje të pakëndshme dhe mendjemadhësi nga koleget e mia e deri tek gjykatësja, e cila vendosi për kujdesin e djemve të mi”, tha Stone e cila në atë kohë po shkurorëzohej nga Phil Bronstein.

Në atë kohë, Stone ishte aktorja më e kërkuar, por sëmundja kishte ndikuar në humbjen e atij statusi, shkruan KOHA Ditore.

“Në atë kohë isha aktorja më e kërkuar. Përpiqesha të funksionoja dhe të punoja normalisht, ndërkohë që e kisha marrë një hipotekë të re për shtëpinë në të cilën jetoja. I humba të gjitha që i kisha. Atëherë e humba statusin që e kisha në Hollywood,” e pranoi ajo.

Stone me këtë tregim në ceremoni deshi t’ua përcillte përvojën e vet të tjerëve, por edhe t’i këshillojë ata.

“Nëse vërtet keni kokëdhimbje të madhe, duhet të shkoni në spital. Unë u paraqita tek mjekët në spital vetëm ditën e tretë pas goditjes në tru. Shumica e njerëzve vdesin në atë periudhë, kisha vetëm një për qind gjasa që të mbijetoja deri në operacion. Për një muaj nuk e kanë ditur nëse do të mbijetoja. Nuk e kisha ide se kisha qenë në gjendje aq të keqe, derisa lexova në gazeta,” tha aktorja e bukur. / KultPlus.com

Të ngjajshme