Shqiptaret nesër do të pushtojnë Brit Awards 2018

20 Shkurt, 2018 - 3:12 pm

Rita Ora dhe Dua Lipa, dy këngëtaret me prejardhje nga Kosova, nesër do të jenë pjesë e skenës së madhe të Brit Awards 2018 që do të mbahet në Londër, shkruan KultPlus.

Rita e cila ka qenë katër herë e nominuar për këto çmime muzikore, nesër së bashku më Liam Payne do të performoj këngën më të re “For You”, që është edhe kolonë zanore e filmit “Fifty Shades Freed”.

Rita Ora kësisoj i shtohet Dua Lipës, Ed Sheeran, Jorja Smith, Sam Smith, Foo Fighters dhe emrave tjerë që do të performojnë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Në këtë skenë do të ngjitet edhe këngëtarja Dua Lipa, e cila sivjet është zyrtarisht këngëtarja më e nominuar në çmimet muzikore Brit Awards 2018.

Lipa, një këngëtare tanimë e njohur gjithandej me hitet “New Rules” dhe “IDGAF”, është nominuar në kategoritë: artistja më e mirë femër, artistja më e mirë debutuese, kënga më e mirë me “New Rules”, albumi më i mirë anglez dhe videoklipi më i mirë anglez.

Në kategorinë e albumit më të mirë ajo garon edhe krahas Ed Sheeran, ndërsa në kategorinë e artistes më të mirë femër është krahas Paloma Faith, Jessie Ware, Kate Tempest dhe Laura Marling.
Çmimet Brit Awards do të ndahen në mbrëmjen e nesërme, më 21 shkurt në 02 Arena në Londër./ KultPlus.com

Të ngjajshme