3 Gusht, 2018 - 2:00 pm
The Summit Fest fillon sonte me edicionin e katërt në parkun e Gërmisë në Prishtinë, më saktësisht në hapësirën e njohur si ‘Te koshat’, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Për dy net, më 3 dhe 4 gusht, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë t’i kalojnë orët e mbrëmjes me muzikë elektronike, e cila nuk do të ndalet deri në mëngjesin e ditës së nesërme.
Leart Zeqa, organizator i këtij festivali nga kompania Modus tha, “këtë vit ‘The Summit Fest’ ka filluar të punohet shumë muaj më parë në mënyrë që gjithçka të jetë ashtu siç kemi planifikuar dhe në mënyrën më të mirë të mundshme. Kemi një lineup shumë të gjerë dhe shumë të mirë me të cilin jemi marrë qe një kohë të gjatë që t’i kemi në data e festivalit”.
Më tutje thuhet se do të ketë DJ shume të njohur të muzikës techno siç është: Thomas P. Heckmann (headliner), i njohur si Drax që është legjenda i technos viteve 90, pastaj Mattia Tranni (Analog Live) nga Italia, Joron Luka nga Holanda, Keikari (Modular Live) nga Franca, dhe Eliss (Hybrid Live) nga Kosova.
Kurse më 4 gusht (të shtunën) do të performojnë: Noneoftheabove (Hybrid Live) (headliner) nga Gjermania, Deformation Boolennee d_b (Live) nga Franca, Hodone & Ostflux (Live Act) nga Franca e Kosova si dhe Sting Stang dhe Stratos nga Kosova.
“E veçantë në këtë edicion është fakti se për efektet vizuele do të kujdesen artistët nga Gjermania Sebastian Kökoë dhe Kevin Paschold nga kompania 29 Nov. Films lider në këtë fushë, që do të sjellin koncepte artistike vizuele në skenën e madhe të “The Summit Fest”, diçka që nuk kemi pas rast të shohim më parë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
The SUMMIT Fest, mbështetet nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës, Ambasada holandeze në Kosove dhe ICK.
Biletat mund të blihen në hyrje të festivalit duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com