20 Gusht, 2020 - 12:40 pm
Këngëtarja, Britney Spears, ka kërkuar nga gjykata që të mos ia kthejë babait të saj, Jamiet, të drejtën për të kontrolluar jetën dhe karrierën e saj. Babai i saj, Jamie Spears, ka qenë kujdestar ligjor i së bijës për 12 vjet me radhë, për shkak të problemeve që ajo kishte me shëndetin mendor.
Ai u tërhoq nga këto të drejta karshi të bijës, duke parë se aferat e saja personale janë qetësuar më 2019, teksa përmendi edhe problemet e veta shëndetësore.
Disa fansa të Spearsit besojnë se ajo kishte arritur marrëveshjen me forcë dhe për këtë arsye e kanë nisur fushatën “online” me hashtagun, #FreeBritney.
“Britney kundërshton fuqishëm kthimin e Jamesit, në rolin e kujdestarit të saj”, thuhet në dokumentet gjyqësore të dërguara në gjykatën Supreme të Kalifornisë në Los Angeles. Në këto dokumente sqarohej se këngëtarja kishte pranuar rolin e tij, i cili tha se “e ka shpëtuar nga një fundosje, shfrytëzim nga njerëzit grabitqarë dhe nga shkatërrimi financiar” dhe e ka bërë “në gjendje që të rimarrë pozicionin e saj si një këngëtare me famë botërore”.
Sidoqoftë, ajo do që menaxheri i saj, Jodi Montgomery, i cili ishte aty në mungesë të babait, të bëhet zëvendësimi i përhershëm i tij, në momentin kur hapet mundësia për ndryshimin e kujdestarisë më 22 gusht. Avokati i saj ka thënë se kishte pritur që James Spears do të kundërshtonte heqjen e të drejtave. Dokumenti bëri të ditur se Britney nuk ka plan që të performojë.
Ajo performoi për të fundit herë në tetor të vitit 2018, para se ta anulonte një koncert të planifikuar në vitin 2019, për shkak të gjendjes shëndetësore të babait të saj, duke u arsyetuar se familja vjen në rend të parë. Britney Spears nuk i ka kontrolluar shumë vendime financiare apo ato të karrierës që prej vitit 2008, për shkak të kësaj marrëveshjeje kujdestarie me të atin. Kujdestaria zbatohet zakonisht te individët të cilët nuk janë të aftë të marrin vendime vetë, siç janë rastet te të prekurit me demencie apo me sëmundje të tjera mendore.
Në vitet e fundit babai i saj dhe avokati ia kanë menaxhuar pasurinë dhe jetën personale – përfshirë edhe të drejtën për t’i lejuar vizitorët dhe për të komunikuar me mjekët rreth trajtimit të saj./ Koha.net / KultPlus.com