13 Nëntor, 2018 - 6:01 pm
Në të gjitha fushat e artit, shqiptarët kanë arritur të depërtojnë në arenën ndërkombëtare, por ajo që po veçohet është fusha e muzikës ku ata kanë arritur suksese të mahnitshme, shkruan KultPlus.
Dua Lipa, Inva Mula, Ramë Lahaj e Ermal Meta, janë vetëm disa prej emrave që po shënojnë suksese në botë.
Të gjithë këta dhe shumë të tjerë, do të bëhen bashkë më datë 19 nëntor për një natë të magjishme që vetëm artistët shqiptarë dinë ta sjellin.
Artistët si Inva Mula, Dua Lipa, Ramë Lahaj, Erza Muqolli, Genc Tukici, Eno Peci, Lorik Cana, Olen Cezari, Elhaida Dani dhe Ermal Meta do t’i bëj bashkë “Skënderbeu” në teatrin “Argentina” në Itali, më 19 nëntor me një koncert i cili fillon në orën 20:30.
Me moton “Tok së bashku për Skënderbeun” këta artistë pritet të performojnë në këtë natë e cila pritet të jetë e magjishme.
Ky manifestimi bëhet në kuadër të vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, me kërkesë të kreut të Misionit Diplomatik të Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, Majlinda Dodaj, Papa Françesku do të takojë përfaqësues të popullit shqiptar në Vatikan, të cilët do të shoqërohen nga autoritet e larta të Qeverisë shqiptare dhe nga liderët e të gjitha besimeve fetare. Gjithashtu të pranishëm do të jenë edhe artistë shqiptarë me famë botërore.
Pas takimit me Papën do të vazhdojë koncerti madhështor ” Të Bashkuar në kujtim të Skënderbeut”.
Ishte tenori Ramë Lahaj ai që njoftoi lajmin në rrjetin social “Instagram” duke shkruar: “Tok së bashku për Skënderbeun”. /KultPlus.com