The Weeknd vazhdon ta bojkotojë ceremoninë “Grammy”

5 Maj, 2021 - 9:50 am

Këngëtari i njohur kanadez, The Weeknd, është betuar se do të vazhdojë ta bojkotojë ceremoninë “Grammy”, pavarësisht ndryshimeve të mëdha që janë bërë në rregullat e nominimit për shpërblimin prestigjioz. 

Pasi u bë i ditur lajmi se Akademia e Regjistrimeve do të ndalojë së shfrytëzuari komitetet sekrete për të zgjedhur të nominuarit, fituesi i trefishtë i çmimit “Grammy” vazhdon të insistojë që ende nuk mund t’iu besojë atyre.

Për “Variety”, The Weeknd ka deklaruar: “Besimi ndërmjet organizatorëve të ceremonisë ‘Grammy’ dhe artistëve është thyer qe një kohë të gjatë, prandaj nuk është veprim i mençur të ndihem triumfues ende”.

Ylli i hitit “Blinding Lights” e kritikoi ashpër ceremoninë e përvitshme shpërblyese, kjo pasi albumi i tij i fundit “After Hours”, i cili pranoi kritika jashtëzakonisht të mira nga publiku anembanë botës dhe shënoi suksese të mëdha në top listat muzikore, u injorua plotësisht në edicionin e fundit të kësaj ngjarjeje dhe u përjashtua nga lista e nominimeve për vitin 2021. Pas këtij veprimi zhgënjyes, këngëtari i njohur kanadez premtoi se kurrë më nuk do të konkurrojë për t’u nominuar për këtë çmim, me projektet e tij të ardhshme. 

“Për shkak të komiteteve të fshehta, unë më nuk do ta lejojë studion time incizuese që ta paraqes muzikën time te ceremonia ‘Grammy’”, kishte deklaruar The Weekend. 

Edhe fansat anembanë botës kishin mbetur të çuditur që një prej albumeve më të mira të vitit 2020, nuk kishte arritur të bëhej pjesë e listës së projekteve të nominuara për çmimin prestigjioz muzikor. 

Këngëtari, emri i vërtetë i së cilit është Abel Tesfaye, e akuzoi Akademinë e Regjistrimeve dhe ceremoninë e tyre shpërblyese, se janë të korruptuar, si dhe bëri thirrje që organizata të jetë më transparente me mënyrën se si i vlerëson talentet.

Përveç artistit The Weeknd edhe ylli tjetër i muzikës, Zayn Malik, i akuzoi organizatorët e ceremonisë “Grammy” për manipulim. Ish anëtari i grupit “One Direction”, insistoi se reagimi i tij nuk ishte personal dhe nuk bazohej në faktin se albumi i tij gjithashtu ishte përjashtuar nga lista e  nominimeve për këtë shpërblim. 

Tutje ai deklaroi se artistët dhe fansat kanë nevojë për transparencë në procesin e nominimeve, dhe ndalimin e favorizimit të individëve të caktuar, racizmit dhe lejimit të ndikimit të politikave të ndryshme në procesin e votimit. / KultPlus.com

Të ngjajshme