25 Maj, 2023 - 12:35 pm
Ylli i “Rock and Roll”, Tina Turner, ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare. Këtë lajm e ka konfirmuar dje zëdhënësi i saj. Në një deklaratë u tha se:
“Tina Turner, ‘Mbretëresha e Rock’n Roll’-it ka ndërruar jetë sot e qetë në moshën 83-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë në shtëpinë e saj në Kusnacht afër Zyrihut, Zvicër. Me të, bota humbet një legjendë muzikore dhe një model”.
Ylli i lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte një nga këngëtaret më të pëlqyera të rrokut, e njohur për praninë e saj në skenë dhe një varg hitesh, duke përfshirë The Best, Proud Mary, Private Dancer dhe What’s Love Got To Do With It.
Por çfarë ndante Turner me fansat e saj dy muaj para se të ndërronte jetë?
83-vjeçarja ka bërë një postim të trishtë në “Instagram”, ku foli për problemet e saj shëndetësore.
Në Ditën Ndërkombëtare të Veshkave, më 9 Mars, Turner zbuloi se e vuri veten në ‘rrezik të madh’ duke mos e marrë seriozisht diagnozën e saj të hipertensionit të vitit 1978.
“Veshkat e mia janë viktima të faktit që nuk e kuptoja se presioni i lartë i gjakut duhej të ishte trajtuar me mjekësi konvencionale”, shkroi Turner, duke shtuar: “E kam vënë veten në rrezik të madh duke refuzuar të përballem me realitetin që kam nevojë për terapi të përditshme, të përjetshme me medikamente”.
Këngëtarja me famë botërore vdiq të mërkurën në shtëpinë e saj në Zvicër, pas një sëmundjeje të paspecifikuar. Mbetet e paqartë nëse veshkat e saj kontribuuan drejtpërdrejt në vdekjen e saj.
“Për një kohë të gjatë besova se trupi im ishte një bastion i paprekshëm dhe i pathyeshëm”, shkruante ndër të tjera në postimin e saj të muajit mars.
Ndërkohë në një intervistë rrëqethëse me “The Guardian” nga prilli, Turner zbuloi se nuk kishte frikë nga vdekja.
Ndërsa e pyetur se si do dëshironte që të kujtohej, ylli i muzikës përgjigjej:
“Si Mbretëresha e Rock ‘n’ Roll-it. Si një grua që u tregoi grave të tjera se është në rregull të përpiqen për sukses sipas kushteve të tyre”.