28 Qershor, 2021 - 10:30 am
Edicioni i 21-të i ceremonisë shpërblyese, “BET”, u mbajt të dielën mbrëma me temën “Viti i grave afrikano-amerikane”.
Aktorja e shumëshpërblyer, Taraji P. Henson, e prezantoi ceremoninë e cila u mbajt në teatrin “Microsoft” në Los Angeles, dhe ku për herë të parë prej fillimit të pandemisë, publiku e ndoqi ngjarjen drejtpërdrejt nga salla.
“Nderimi i grave afrikano-amerikane nuk është vetëm një trend apo në modë, por është një gjendje shpirtërore e përhershme. Ka më shumë se mjaftueshëm vend për të gjithë ne, që të lulëzojmë në këtë industri, sepse askush nuk mund të jetë sikur unë dhe askush nuk mund të je sikur ti”, tha aktorja Henson në hapjen e ceremonisë.
Rep artistja dhe aktorja e vlerësuar, Queen Latifah, gjatë mbrëmjes e pranoi shpërblimin special për arritje jetësore, i cili e nderon suksesin e saj të jashtëzakonshëm përgjatë karrierës disa dekadëshe në industrinë e filmin, televizionit dhe muzikës.
Rep artistet Lil Kim, Rapsody, MC Lyte dhe Monie Love, e nderuan atë me një performancë të hiteve të saj, “Ladies First” dhe “U.N.I.T.Y.”, kurse Queen Latifah më pas e mbajti një fjalim duke shprehur mirënjohjen e saj.
“Dua t’i falënderojë organizatorët e ‘BET Awards’ që e kanë krijuar një platformë e cila ia mundëson komunitetit tonë të bukur që të shkëlqejnë dhe të lulëzojë në industrinë e showbizit. Kur muzika jonë nuk mund të transmetohej në radiot tjera dhe videoklipet tona nuk shfaqeshin në televizionet tjera, ne e kishim kanalin ‘BET’ i cili na lejonte të jemi plotësisht vetvetja”, deklaroi ndër të tjera Queen Latifah.
Reperaj Megan Thee Stallion e cila së bashku me reperin DaBaby, kryesonin me më së shumti nominime në këtë ceremoni, i rrëmbeu gjithsej katër trofe në kategoritë: “Artistja më e mirë Hip Hop”, “Bashkëpunimi më i mirë”, për hitin “WAP” në bashkëpunim me rep artisten Cardi B, “Çmimin e publikut” i cili shkoi për këngën “Savage (Remix)” të cilën e interpretoi bashkë me yllin e muzikës, Beyoncé dhe “Videoklipi më i mirë i vitit”, çmim ky i cili shkon për hitin “WAP”.
Ndër fituesit e tjerë të mbrëmjes ishin: Cardi B, Jazmine Sullivan e cila u nderua në kategorinë “Albumi më i mirë”, për albumin e saj “Heaux Tales”, H.E.R. u shpall “Artistja më e mirë R&B dhe pop, Chris Brown e fitoi çmimin “Artisti më i mirë R&B dhe Pop”, me çmimin “Grupi më i mirë” u nderuan Bruno Mars, Anderson .Paak dhe Silk Sonic, “Hip Hop artisti më i mirë” u shpall Lil Baby dhe Giveon u nderua me çmimin “Artisti më i mirë i ri”.
Në kategorinë për film triumfoi “Judas and the Black Messiah”, i cili u shpall “Filmi më i mirë i vitit”, Andra Day u nderua në kategorinë “Aktorja më e mirë” dhe ylli i ndjerë i kinematografisë, Chadwick Boseman, e pranoi edhe një shpërblim postmortum me t’u shpallur “Aktori më i mirë i vitit”.
Kurse sportistët e nderuar gjatë mbrëmjes me çmim “BET Award”, ishin: tenistja Naomi Osaka e cila u shpall “Sportistja më e mirë e vitit”, dhe ylli i basketbollit, Lebron James, i cili u nderua me çmimin “Sportisti i vitit”.
Legjenda e muzikës rep, DMX, i cili vdiq nga sulmi në zemër në fillim të këtij vitit, u nderua në ceremoninë e së dielës me një performancë speciale të yjeve, Busta Rhymes, Method Man, Swizz Beatz dhe Michael K. Williams.
Cardi B, Andra Day, dyshja “City Girls”, DJ Khaled, Jazmine Sullivan, Lil Nas X, Kirk Franklin dhe “Migos”, ishin ndër yjet e shumtë të cilët performuar në ceremoninë e përvitshme, e cila ka për qëllim t’i nderojë arritjet e personave të komunitetit afrikano-amerikan. / Koha.net / KultPlus.com