17 Shtator, 2017 - 2:53 pm
Banda irlandeze e “rock”-ut, U2 dhe Ed Sheeran kanë anuluar koncertet e tyre që priteshin të mbaheshin në St. Louis për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë, pas protestave të dhunshme në qytet që shkaktoi lirimi i një ish-oficeri të bardhë policie, i akuzuar për vrasjen e një personi me ngjyrë.
Irlandezët pritej të performonin në “The Dome at America’s Center” mbrëmjen e së shtunës, ndërsa këngëtari britanik Sheeran i ka shitur të gjitha biletat për shfaqjen që pritej të zhvillohej mbrëmjen e sotme në “Scottrade Center”, transmeton tch. Por policia ka njoftuar se nuk mund t’iu garantojnë nivelin e duhur të sigurisë, pasi qyteti është përballur me protesta të vazhdueshme dhe të dhunshme.
Qindra vetë protestuan të premten dhe të shtunën në St. Louis, në qendër dhe në periferi të qytetit, duke çuar deri në arrestimin e të paktën 32 personave. Megjithatë, protesta më të mëdha priteshin mbrëmjen e së shtunës.
Këngëtari i famshëm Bono i grupit “U2”, përmes një deklarate në “Instagram” tha se ishte “tejet i zhgënjyer nga çfarë ka ndodhur në St. Louis, që detyroi edhe anulimin e koncertit” të tyre.
“Jam duke lexuar fjalimin e Luther King nga Katedralja Kombëtare dhe pyes veten nëse sot jemi në vitin 1968 apo 2017?”, shkruan Bono. Edhe në faqen zyrtare të “U2”, thuhet se banda “nuk mund të rrezikojë me ndërgjegje të plotë jetët e fansave të tyre”, nëse do të vijonin me planet për zhvillimin e koncertit.
Megjithatë, për të gjithë ata që i kishin siguruar tashmë biletat për këto dy koncerte, kompensimi do të fillojë nga pikat e shitjes që nga e hëna./ KultPlus.com