2 Gusht, 2019 - 2:30 pm
Padia 68 milionë dollarëshe e Woody Allen për shkelje kontrate kundër shefave të Amazon Studios është hedhur poshtë pjesërisht.
Regjisori e ngriti rastin për ta kontestuar ndërprerjen e një marrëveshjeje shumëprojektëshe që ai e kishte bërë me drejtuesit e studios, pasi këta të fundit e ndërprenë bashkëpunimin me të, duke i akuzuar ata se po tërhiqeshin nga marrëveshja e vitit 2017 për shkak të akuzave të abuzimit seksual të bëra kundër tij nga vajza e tij e distancuar, Dylan Farrow.
Udhëheqësit e Amazonit këmbëngulën se ata e pushuan Woodyn për shkak të komenteve që ai i bëri në lidhje me mogulin e turpëruar të filmit Harvey Weinstein dhe lëvizjen #MeToo – dhe anulimi i kontratës me të nuk kishte asnjë lidhje me skandalin e tij të abuzimit seksual.
Të mërkurën gjyqtarja që i mbikëqyri procedurat ia dha një “goditje” rastit të regjisorit dhe aktorit duke i hedhur poshtë katër nga shtatë mocionet që ai i paraqiti, duke e kufizuar kështu shumën e fondeve që ai mund t’i kërkonte dhe kë mund të padisë, shkruan KOHA Ditore.
“Mocioni i pjesshëm i Amazonit nga 3 prilli 2019 është miratuar,” shkroi gjykatësja e Gjykatës amerikane të Qarkut, Denise Cote. “Shkaqet pesë, gjashtë, shtatë dhe tetë të paditësve anulohen, duke e përfshirë pretendimin e vetëm kundër Amazon Studios.”
Gjykatësja gjithashtu i hodhi poshtë pretendimet e Allen se ai ishte dëmtuar financiarisht si rezultat i largimit të tij nga Amazoni dhe se ai nuk është më i autorizuar të kërkojë kompensim ligjor nga studio.
Allen fillimisht pretendoi se drejtuesit e Amazonit u tërhoqën nga marrëveshja qershorin e kaluar, dhe nuk pranuan ta shpërndajnë filmin e tij “A Rainy Day in New York”, në të cilin luajnë: Jude Law, Selena Gomez dhe Elle Fanning.