Zara Larsson e ka paralajmëruar albumin e ri muzikor

2 Qershor, 2020 - 12:30 pm

Këngëtarja e suksesshme suedeze, Zara Larsson, i ka ngacmuar fansat duke thënë se albumi i saj i shumëpritur që vjen pas incizimit të vitit 2017, “So Good”, do të lansohet së shpejti.

Pop ylli i njohur i muzikës e ka shfrytëzuar rrjetin social Twitter për t’i informuar fansat me të rejat rreth albumit të ardhshëm muzikor, me ç’rast tregoi se do ta lansojë atë shumë shpejtë pasi është në përfundim të fotosesionit për ballinën e tij.

“Lajmi i ri është se tashmë jam duke e realizuar fotosesionin për ballinën e albumit tim. Së shpejti do të jetë në dispozicionin tuaj,” kishte shkruar këngëtarja në mesazhin e saj.

Këngëtarja e hitit “Lush Life”, prej albumit të saj të fundit i ka lansuar edhe disa këngë të mirëpritura nga publiku si: “Ruin My Life”, “Don’t Worry Bout Me”, “Wow”, “All The Time” dhe “Like It Is”, që erdhi në bashkëpunim me dyshen, Tyga dhe Kygo.

Përditësimi rreth muzikës së re të këngëtares vjen pasi, Larsson, zbuloi se vjetëve të fundit i kishte hedhur poshtë disa materiale të cilat ia vlente t’i përmbledhë në një album, transmeton Koha.

22-vjeçarja simpatike po ashtu e pranoi se ka eksperimentuar shumë me këngët e albumit të fundit, deri sa ka vendosur në çfarë drejtimi të përcaktohet për muzikën e saj të re.

Ylli i hitit “Symphony” tha se këngët e reja po tingëllojnë shumë ‘seksi’, si dhe zbuloi që dy prej tyre janë realizuar me artistin britanik MNEK, me të cilin e kishte bashkëshkruar hitin, “Never Forget You”. Pritet të shihet nëse këto projekte do të arrijnë të përfshihen në albumin e ri të Larssonit. / KultPlus.com

Të ngjajshme