Biznesmeni Samir Mane dhuron 1.2 milion euro për të dëmtuarit nga tërmeti

Biznesmeni shqiptar, Samir Mane, ka vendosur të dhurojë 1.2 milionë euro për qytetarët e dëmtuar nga tërmeti i fuqishëm i mëngjesit të 26 nëntorit, me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter.

Gjithashtu, presidenti i Grupit Balfin, Mane, së bashku me Bordin Drejtues dhe kompanitë përkatëse, kanë vendosur që, përveç kësaj shume, t’iu vijnë në ndihmë të prekurve nga tërmeti edhe me mjetet e nevojshme e baza ushqimore.

“Bordi Drejtues i Grupit Balfin nën kujdesin e veçantë të presidentit Samir Mane, dhe kompanitë përkatëse të Grupit vendosen sot që të akordojnë shumën prej 1.2 milion eurosh për të dëmtuarit nga tërmeti në Shqipëri.

Përveç kësaj shume të akorduar, kompanitë e Grupit Balfin, si Spar, Neptun, Jumbo, etj, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Kosovës, Maqedonisë, Bosnjës, e kështu me radhë, që në ditën e parë, i kanë qëndruar pranë banorëve të pastrehë, duke u ardhur në ndihmë me mjetet e nevojshme dhe bazën ushqimore. Grupi Balfin bën të ditur se ndihmat e Grupit do të vijojnë çdo ditë”, thuhet në njoftim. /BW / KultPlus.com