Rritja e Shqipërisë Turistike nuk ndalet, u shpreh sot kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Kreu i qeverisë ndau sot pamje nga turistët e shumtë që kanë mbërritur këtë fillimviti në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës
“Muaji shkurt, me 55% më shumë vizitorë se shkurti i vjetshëm, ka bërë që Shqipëria të presë rreth 1 milion turistë të huaj vetëm në dy muajt e parë të vitit 2024”, theksoi Rama.
Ditën e djeshme Rama u shpreh se, “në shkurt 2024, ne mirëpritëm 577,515 udhëtarë, një rritje prej 69% nga viti i kaluar. Nga janari deri në shkurt 2024, shifrat u rritën në 1,202,785, duke shënuar një kërcim 59%”, u shpreh Rama në një postim në rrjetin social X.
Me sloganin “Albania All Senses”, Shqipëria është bërë sërish pjesë e panairit më të madh në botë të turizmit, ITB Berlin, që zhvillohet nga data 5 deri më 7 mars në Gjermani.
Në këtë panair, Shqipëria prezantohet me një hapësirë kuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, si edhe me pjesëmarrjen e 26 turoperatorëve privatë dhe shtatë bashkive turistike që prezantojnë ofertat dhe potencialet e tyre në Berlin.
Gjithashtu pjesë e këtij panairi që nisi ditën e sotme janë edhe bashkitë Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Sarandë, Përmet dhe Tepelenë, të cilat prezantojnë programet e tyre të promovimit.
ITB Berlin operon suksesshëm prej vitit 1966 duke qenë panairi më i madh i Turizmit në botë./atsh/KultPlus.com