Studentët i vendosin notën 1-sh Ministrisë së Arsimit për komunikatën me plot gabime

Ditë më parë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë lëshoi një komunikatë lidhur me përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga EQAR-i.

Mirëpo ajo se çfarë kishte rënë në sy nga kjo komunikatë ishin gabimet e shumta drejtshkrimore, pikërisht nga Ministria e Arsimit.

E sot një organizatë studentore e quajtur “Lëvizja Studentore për barazi, studim, kritikë dhe veprim” ka mbajtur një aksion simbolik para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ku i kanë vendosur notë të dobët Ministrisë së Arsimit dhe komunikatës me plot gabime drejtshkrimore të lëshuar ditë më parë.

“Një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore e historike për shqiptarët është hapja e shkollës së parë shqipe, në Korçë, me mësues Pandeli Sotirin, pikërisht me këtë datë- 7 mars, të vitit 1887.

Kujtojmë se siç kemi mësuar nga historia, deri atëherë mësimi shqip ishte tejet i vështirë ngaqë ajo kryesisht bëhej në kushte ilegale përmes mësimeve në shtëpitë private. Përkundër shtypjes dhe presionit të regjimeve kolonialiste, përpjekja dhe sakrifica për arsimim të popullit shqiptar nuk u ndal kurrë. Së voni në vitet e ’90 shqiptarët nga Kosova u detyruan që mësimin e tyre ta ndiqnin përmes shkollave private sikurse një shekull më parë, ngase Regjimi i atëhershëm mbylli dyert e Universitetit për shqiptarët. Gjuha jonë e lashtë dhe e gjerë ishte gjuhë e papranueshme për regjimet fashiste të cilët donin ta zhduknin atë. Megjithatë rrënjët kjo gjuhë i kishte aq të thella sa i mbijetoi çdo regjimi ndër shekuj, për tu pasuruar edhe më shumë. Në 20 vitet e fundit kemi një përmbysje të rëndë e të papranueshme të përpjekjeve për ngritje të vlerave tona kombëtare. Gjuha shqipe bastardohet nga institucionet tona. Injorantë e analfabetë vihen në majat e institucioneve të cilat qëllim duhet ta kishin arsimimin, emancipimin kulturor dhe mirëqenien e shoqërisë dhe jo denigrimin deri në këtë nivel të dhimbshëm për shoqërinë tonë. Për shkak të paditurisë dhe papërgjegjësisë së qeverive të njëpasnjëshme, në administratën tonë shtetërore kemi njerëz që drejtojnë sektorë të rëndësishëm në institucione të cilët përveçse janë anëtarë të partive të pushtetit, shumë nga ata nuk plotësojnë kriteret bazë për të qëndruar në pozita të tilla. Pasojat për këtë gjendje po i bartë shoqëria jonë.

Ditëve të fundit Agjencia e Kosovës për Akreditim u përjashtua nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, paraprakisht për shkak që bordi ishte edhe i papërgjegjshëm edhe i korruptuar dhe po ashtu për shkak të paaftësisë dhe inateve partiake të Ministrit dhe Kryeministrit për ta zgjidhur në kohë këtë çështje.

Së fundmi, siç kemi mësuar nga mediat, Ministri i është drejtuar Programit për Vlerësim të Studentëve Ndërkombëtar, (PISA-s) që testi i paraparë për këtë vit të mos mbahet. Kjo siç vlerësojmë ne është për shkak të rezultateve tmerrësisht të dobëta që priten të nxirren nga nxënësit e shkollave të Republikës të Kosovës. Zgjidhja nuk është fshehja e rezultateve, zgjidhja bëhet duke i njohur e duke i përmirësuar ato. Kjo nuk do të ndodhë përderisa në një komunikatë për media kjo Ministri bënë dhjetëra gabime drejtshkrimore në rreth 4 paragrafë tekst.

Sot përmes këtij aktiviteti po i korrigjojmë gabimet e kësaj Ministrie, por gabimet e njëpasnjëshme që po ndodhin do ti përgjigjemi me rezistencë. SKV siç ka vepruar në të kaluarën, siç po vepron në kohët e sotme, ashtu edhe në të ardhmen do të përgjigjet edhe më furishëm ndaj cilitdo institucion të korruptuar, apo përgjegjës të tij, çoftë Ministër, rektor, apo profesor që dëmton integritetin arsimor” thuhet në Komunikatën e lëshuar nga kjo lëvizje.” thuhet më tej në komunikatën e kësaj organizate lidhur me këtë aktivitet./ KultPlus.com