Prestigjiozja italiane “Vanity Fair” i ka kushtuar një artikull të gjatë Tiranës, duke renditur 10 arsye pse duhet t’i kaloni pushimet në kryeqytetin shqiptar.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimin e gazetares Francesca Masotti, të botuar në “Vanity Fair”.
“Prestigjiozja italiane “Vanity Fair” i ka kushtuar një artikull kryeqytetit shqiptar, duke renditur 10 arsye pse duhet t’i kaloni pushimet në Tiranë, nga afërsia me Italinë, klima mesdhetare, muzetë origjinalë, përzierja unike e arkitekturës dhe një nga kuzhinat më të mira në Europën Jugore e të tjera arsye”, shkruan Rama.
Në artikullin e saj, Francesca Masotti e cilëson Tiranën, një qytet argëtues, të ri dhe me larmishmërinë gastronomike ndër më interesantet e Evropës Jugore.
10 arsye për të kaluar pushimet në Tiranë, nga Francesca Masotti
Edhe pse të shumtë janë ata që kanë kaluar pushimet verore atje, Shqipëria është ende një destinacion jashtë radarëve. Dhe kryeqyteti i saj, Tirana, është destinacioni ideal për një fundjavë ndryshe. Ka shumë arsye për ta zgjedhur atë: afërsia me Italinë, klima mesdhetare, muzetë origjinalë, përzierja unike e arkitekturës dhe një nga kuzhinat më të mira në Evropën Jugore. “Koncerte, ngjarje madhore, muzetë brenda bunkerëve, arti i rrugës kudo, restorante “gourmet” dhe një mori argëtimesh brenda dhe në periferi të qytetit. Tirana ka gjithçka që duhet për të mirëpritur vizitorët në çdo stinë të vitit”, thotë Ketrina Jarazi, drejtoreshë e Drejtorisë së Turizmit në bashkinë e Tiranës.
Vitin e kaluar Shqipëria tërhoqi mbi 10 milionë turistë (sipas asaj që raportohet nga Instat, instituti kombëtar shqiptar i statistikave) dhe shumica e tyre u ndalën edhe në Tiranë. Këtë vit shifrat, sipas statistikave, do të jenë edhe më të larta. Këtu janë dhjetë arsye të mira për të organizuar një udhëtim në Tiranë.
Qyteti është një përzierje unike e arkitekturës
Janë të paktë kryeqytetet në Evropë, ku brenda pak metrash mund të gjesh një kishë katolike, një kishë ortodokse dhe një xhami, ku në krah të ndërtesave të epokës komuniste gjenden ndërtesa të stilit italian, bunkerë dhe struktura tipike të një stili brutalist. Tirana është një prej tyre. Mjafton të ecësh nëpër rrugët e qendrës për të kuptuar menjëherë përzierjen unike të arkitekturës që karakterizon kryeqytetin kaotik shqiptar. Një kafe – po aq e mirë sa ajo italiane – në Kopshtin e Milleniumit, përgjatë Pedonales, pedonalja e këndshme në qendër, ose në kafenenë Opera në sheshin “Skënderbej” dhe më pas filloni të eksploroni Tiranën.
Në sheshin e madh, në qendër të të cilit ndodhet statuja e heroit kombëtar me të njëjtin emër nga vitet 1400 ndodhet Muzeu Kombëtar, Kulla e Sahatit, Teadri i Operas dhe Xhamia e Et’Hem Beut. Pak metra më tutje shfaqet Katedralja Ortodokse e Ngjalljes. Deri te Katedralja Katolike e Shën Palit dhe Xhamisë së Namazgjasë, më e madhja në Ballkan.
Është afër dhe lehtësisht e arritshme
Nëse deri para disa vitesh ishte e komplikuar dhe e kushtueshme të arrije në Tiranë, sot falë lidhjeve të shumta ajrore mund të arrish Shqipërinë në më pak se dy orë fluturim nga Italia. Linjat ajrore Wizzair, Ryanair, Ita Airways dhe Air Albania lidhin çdo ditë aeroportet kryesore italiane me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, gjysmë ore larg qendrës së qytetit. Në Tiranë mund të udhëtoni gjatë gjithë vitit, falë klimës së butë. Periudha jashtë sezonit ju lejon të gjeni oferta të favorshme për fluturime dhe hotele, për të organizuar një udhëtim fundjave me buxhet të ulët në qytet.
Është e lirë
Edhe pse çmimet janë rritur edhe në Shqipëri vitet e fundit, për turistët që vijnë nga Italia pushimet në kryeqytetin shqiptar – dhe në përgjithësi në vend – janë ende të favorshme. Tirana, në fakt, krahasuar me kryeqytetet dhe qytetet e tjera, edhe në rajonin e Ballkanit, është ende e lirë. Sidomos kur bëhet fjalë për restorante, muze dhe hotele. Kostoja e biletave të hyrjes në muzetë kryesorë varion nga 3 € në 6 €. Për 50-60 € mund të flini në dhomë dyshe me mëngjes të përfshirë. Mes shumë të tjerësh, Hotel Mulaj pranë Piramidës, qendrës më të madhe multifunksionale në Ballkan, është një perlë e vogël me hapësira të bollshme dhe të dizenjuara. Nga ana tjetër, nëse jeni në kërkim të një akomodimi luksoz, The Crown Boutique Hotel me spa, restorant dhe një pamje mahnitëse të xhamisë së re, ose Marriott Tirana e re pranë Stadiumit Air Albania, janë adresat që duhet të shënoni në ditarin tuaj. Me 25-30 € mund të hani për dy në një restorant, porcione bujare. Kafeja? Kushton 1 € dhe nuk ka asgjë për t’i pasur zili atij italian.
Kuzhina shqiptare është e shkëlqyer
Gastronomia është një nga arsyet e mira për të shkuar në Tiranë. Vitet e fundit, kuzhina shqiptare është zhvilluar me ritme të jashtëzakonshme, veçanërisht në kryeqytet. Propozimet e restoranteve variojnë nga pjatat tradicionale në menutë bashkëkohore, deri në një përzierje të suksesshme të të dyjave. Shumica e shefave të kuzhinës shqiptarë që kanë fituar përvojë në restorantet më të mira evropiane janë kthyer në vendlindje për të hapur restorantet e tyre. Ashtu si Padam nga shefi i mirënjohur Fundim Gjepali (gjithashtu kreu i Antico Arco në Romë) një ndalesë e paharrueshme në Tiranë, Mullixhiu nga Bledar Kola (që pas tij ka eksperiencë në Noma të Kopenhagës) me gatime tipike të Shqipërisë veriore dhe Brutal, tempull gastronomik i kryeqytetit shqiptar ku shefi i kuzhinës Gent Malaveci ofron pjata origjinale si tomahawk në stilin paella dhe tartare viçi me salcë kimchi. Për gatime më klasike – byrekë të shijshme të mbushura, qofte me erëza, tavë kosi me bazë mish qengji dhe kos, dhe fërgesë me gjizë të kripur, speca dhe domate – por të përgatitura në mënyrë origjinale, është restorant “Era” me dy adresa në qytet. Ai pranë stadiumit “Air Albania” është i preferuari ynë.
Nga ana tjetër, EOS Mezze Bar është një lokal modern me elementë dizajni dhe mbretërinë e mezeve: menuja përfshin mbi 40 meze të mrekullueshme, meze tipike të Mesdheut lindor, meze toke, deti dhe opsione vegjetariane. Përveç përzgjedhjes më të mirë të koktejeve në Tiranë.
Shembull i tolerancës fetare
Pavarësisht sundimit të gjatë osman – rreth 500 vjet – dhe shpalljes së ateizmit shtetëror gjatë diktaturës komuniste (me pasojë ndalimin e praktikimit të feve), Shqipëria, pavarësisht se është sot një shtet laik, është jashtëzakonisht tolerante ndaj të gjitha besimeve fetare. Në territorin e saj jetojnë myslimanë, të krishterë ortodoksë, të krishterë katolikë, hebrenj dhe bektashi. Tirana është gjithashtu shtëpia e Qendrës Botërore Bektashiane, një vend i paharrueshëm, unik në panoramën evropiane. Është një teqe e madhe me mozaikë hipnotizues prej mermeri, dhoma kushtuar adhurimit dhe një muze, në dhomat e së cilës tregohet historia e Bektashinjve, një vëllazëri islame me origjinë sufi, e themeluar në shekullin e 13-të.
Muze origjinalë për t’u vizituar
Disa nga muzetë më origjinalë të kontinentit të vjetër ndodhen në Shqipëri, në Tiranë. BunkArt1 është një muze i ndërtuar brenda një bunkeri gjigant anti-atomik në periferi të qytetit. Shtatë kate nën tokë ku tregohet historia e vendit nga pushtimi fashist italian e deri te komunizmi. Mirëpo, pikërisht në qendër, BunkArt2 – krijuar në dhomat e bunkerit të vjetër të Ministrisë së Brendshme – është ndalesa për të thelluar njohuritë tuaja për historinë e Shqipërisë komuniste gjatë viteve të diktaturës së Enver Hoxhës. Së fundmi, në ish-selinë e policisë sekrete, Shtëpia e Gjetheve, fituese e Çmimit Muzeor të Këshillit të Evropës i kushtohet veprimtarisë së spiunazhit gjatë diktaturës.
Shumë ngjarje për të shënuar në ditarin tuaj
Të mërzitur në Tiranë? E pamundur. Qyteti ishte Kryeqyteti Evropian i Rinisë në 2022, Kryeqyteti Evropian i Sportit 2023 dhe në 2025 do të jetë Kryeqyteti Kulturor Mesdhetar i Kulturës. Ka shumë ngjarje që zhvillohen gjatë gjithë vitit. Në maj, Festivali i Ditës së Ngjyrave shenjon ardhjen e verës. Në fillim të shtatorit, Mural Fest, kushtuar artit të rrugës, tërheq artistë nga e gjithë bota që krijojnë murale në fasadat e ndërtesave të kryeqytetit. Nëse doni kinematografinë, Festivali Ndërkombëtar i Filmit TIFF-Tirana, me vëmendje të veçantë për artistët e rajonit, është eventi për t’u shënuar në ditarin tuaj. Maratona e Tiranës tashmë prej disa vitesh është një ngjarje fikse në vjeshtë, prej disa vitesh. Festivali i Librit është eventi më i madh shqiptar kushtuar botës së botimeve dhe mbahet çdo vit në muajin nëntor. Në fund, në dhjetor, sheshi “Skënderbej” shndërrohet në një “qytet” të madh Krishtlindjesh me stenda ushqimore, shtëpi prej druri dhe lojëra.
Turizëm i tejskajshëm? Këtu (ende) nuk ekziston.
Jeni lodhur nga radhët e gjata kilometërshe përpara hyrjeve të muzeve, galerive dhe pikave turistike me interes? Jeni të lodhur nga nevoja për të nxituar për t’u futur në një klub apo për të pozuar për një selfie të zakonshme që është e gjitha bujë në Instagram? Atëherë Tirana është destinacioni ideal. Është qyteti ku mund të strehoheni për disa ditë, për t’i shpëtuar turmave. Një destinacion nën-turizmi i përkryer, Tirana është një kryeqytet i ri, jo i fryrë, që rezulton të jetë një surprizë. Një fundjavë këtu është një mundësi jo vetëm për të kursyer para dhe stres, por edhe për të zbuluar një qytet të ri në një mënyrë më të thelluar, etike dhe të ndërgjegjshme. A ka ende kuptim të vizitosh muzetë më të famshëm në botë me nxitim, pa e kuptuar domethënien e tyre, duke shmangur një mori turistësh, vetëm për t’u thënë miqve apo të afërmve që ke qenë atje? Për një herë, a nuk do të ishte më e përshtatshme t’i kushtonit kohën tuaj zbulimit të një muzeu më pak të njohur mbi historinë e një kombi, fare pranë Italisë, me të cilën ruan lidhje të thella historike dhe në një vend ku nuk ndihesh i huaj?
Është afër detit
As 40 km nuk e ndajnë Tiranën nga Durrësi, një qytet me pamje nga Adriatiku dhe porti kryesor shqiptar. Nëse keni në dispozicion një ditë shtesë udhëtimi dhe dëshironi të kaloni disa orë në breg të detit është e lehtë të organizoni një udhëtim jashtë qytetit, duke filluar nga kryeqyteti. Durrësi është një nga qytetet më të vjetra të Mesdheut, me mbetje të shumta arkeologjike, ndër të cilat spikat Amfiteatri Romak, i ndërtuar midis shekujve I dhe II pas Krishtit, nën mbretërimin e Trajanit, i cili mund të strehonte mbi 20,000 njerëz. Një vizitë në qendrën historike dhe më pas direkt në plazh, edhe kur nuk është stina e nxehtë. Së pari, një ndalesë e shijshme në Sardi, një restorant peshku me një pamje magjepsëse të Adriatikut. Vlen të porositet përzierja e peshkut të papërpunuar, “paccheri alla pescatrice” dhe kallamarë të pjekur në zgarë. Durrësi ka plazhe të gjata me rërë të artë, me ujë të cekët dhe mjafton të lëvizësh disa kilometra nga qendra për të gjetur ujë të pastër dhe gjire sekrete ku të pushosh. Plazhi i Kallmit, një gji i pasur me faunë detare dhe ai i Kepit të Rodonit, një kep shkëmbor që del drejt detit Adriatik, me shkëmbinj dhe shkurre mesdhetare janë më të bukurit në zonë.
Shumë pranë natyrës
Pak minuta me makinë nga Tirana është gjithashtu e mundur të zhyteni në natyrën më të egër. Parku Kombëtar i Malit të Dajtit, 25 km në lindje të qendrës së Tiranës mund të arrihet me makinë, taksi ose përmes teleferikut Dajti Ekspress, i cili arrin në majë për rreth njëzet minuta. Është një parajsë për të apasionuarit e aktiviteteve në natyrë, argëtim në çdo stinë të vitit. Këtu ndodhet edhe Parku i Aventurave të Dajtit, një park aventure për të rritur dhe fëmijë, i krijuar në zemër të pyllit. Nëse preferoni më mirë ushqimin e mirë, sesa aktivitetet sportive, shumë pranë Tiranës ka plot struktura agroturizmi, ku mund të hani ushqime të shijshme vendase. Më e mira? Fustanella Farm dhe Kazerma e Cerenit, lëndë të para cilësore, përzierje shijesh dhe strukturash të lashta dhe bashkëkohore të rrethuara nga gjelbërimi. Vështirë të kërkosh më mirë./atsh/KultPlus.com