10-të vjetori i Korit ‘Okarina’, organizohet Gala Koncert me artistë të shquar të skenës

Këtë fundvit, Kori i Fëmijëve-Okarina do të shënojë 10-të vjetorin e themelimit përmes një Gala Koncerti me artistë të shquar, me të cilët përgjatë kësaj dekade pjesëtarët e korit kanë pasur rastin të ndajnë skenën bashkë, shkruan KultPlus.

Sipas një njoftimi për media, ky koncert do të jetë një festë e veçantë e “Korit Okarina” me këngëtarët Sinan Vllasaliu, Irma Libohova, Adelina Thaçi, Adelina Paloja, Arbër Salihu, Adea Pula, Andra Rexhepi, Elona Sadiku, festë kjo e cila kurorëzon një dekadë punë, përkushtim, këngë, magji dhe emocione të paharrueshme.

Kori “Okarina” përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook” i ka falënderuar të gjithë ata që e kanë përkrahur rrugëtimin e tyre në këto 10-të vite.

“Faleminderit nga zemra për besimin dhe përkrahjen tuaj ndër vite! Këtë 10-vjetor të jashtëzakonshëm do ta festojmë me një Gala Koncert me artistë të shquar me të cilët kemi patur rastin të ngjitemi në skenë, e që ky koncert do të mbetet gjatë në kujtimet tona.

Ju ftojmë të bëheni pjesë e këtij momenti të veçantë të cilin po e presim me padurim!Mirësevini në festën tonë!🌟🌟🌟🌟🌟”, thuhet në shkrimin e korit në facebook.

Ngjarja mbahet më 22 dhjetor, në ora 19:00, në Shtëpinë e Kulturës “Xhavit Haziri”- Obiliq/ KultPlus.com

Rita Ora pas gjashtë vitesh sërish në Kosovë, kthen vëmendjen e botës në vendlindjen e saj

Erdhi në Kosovë, në vitin 2012-të dhe ardhja e saj në vendlindje krijoi një lloj fuqie të shtetit më të ri në botë që ishte Kosova., shkruan KultPlus.

“Shine ya light”, i dha shkëlqim Kosovës, më saktësisht Prishtinës, aty ku shqiptarja Rita Ora bashkë me vendasit e saj realizuan videoklipin e kësaj kënge e cila u bë zë i Kosovës për botën.

“I SAPOLINDURI/E SAPOLINDURA” apo “New Born”, ishte vendi që tregon çdo emocion të kosovarëve që kishin pak më shumë se një dekadë që kishin dalë nga lufta. Rita mbi këto shkronja përballë të së cilave ishin me mijëra njerëz që dolën ta dëgjonin e shihnin yllin shqiptar që ka mahnitur botën, u bënë pjesë e kësaj videoje duke ngritur duart lart bashkë me Ritën, e duke krijuar shqiponjën-simbolin e tokës së shqiponjave që në të përfshihen të gjitha trojet shqiptare.

Tash, pas plotë gjashtë viteve Rita Ora vjen përsëri në vendlindje.

Aty ky gjaku i dëshmorëve u shpërblye më datën 17 shkurt të vitit 2008-të, e pikërisht në këtë datë historike, jubile të Pavarësisë së Kosovës, Rita Ora vjen me një koncert në qendër të kryeqytetit kosovar. Për këtë koncert, Rita nuk pranoi të paguhet. Ajo bëri edhe njëherë një vepër të madhe për shtetin në të cilin ka lindur, për datëlindjen e tij e për të gjithë këta qytetarë që po presin nga çasti në çast ardhjen e saj.

Rita, ambasadorja më e mirë e Kosovës në botë, më 17 shkurt ngjitet në skenën e përgatitur te sheshi Skënderbeu. Një skenë që në çdo cep të saj ka simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës është përgatitur të pres me mijëra njerëz të shtunën mbrëma.

Ora 22:00 do të shënojë ngjitjen në skenë të Ritës. Ora 22:00 është caktuar, sepse Kosova po bënë 10 vite. E Rita, përveç të tjerash, mbrëmë edhe konfirmoi ardhjen e saj në Kosovë. Rita shkroi shqip, dhe tregoi edhe njëherë sa e lumtur është që po vjen në Kosovën që edhe tash, pas 10 viteve pavarësi vazhdon të ketë sfidat e saj.

Mediet shqiptare nuk u kursyen që siç thotë populli ‘të gjejnë të metat’ për ardhjen e Ritës. U morën me bluzat që ajo krijoi për këtë jubile e që do të jenë në shitje. Poashtu që nga fillimi i muajit u morën edhe me atë se ‘po vjen Rita apo jo’. Me tituj nga më të ndryshmit që bënë konfuz qytetarët e Republikës së Kosovës, duket se dështuan. RITA ORA po vjen në KOSOVË. RITA ORA po këndon falas për 10 VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS dhe RITA ORA edhe njëherë me zërin e saj po e bënë KOSOVËN kryelajm në TITUJT E GAZETAVE BOTËRORE./ KultPlus.com

Franca në Kosovë e Kosova në Francë, një program i përbashkët në 10-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Në kuadër të 10-të vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Francës në Kosovë dhe Ambasada e Kosovës në Francë po bashkëpunojnë për të promovuar një program të përbashkët të ngjarjeve kulturore që tregojnë lidhjen dhe miqësinë mes dy vende, shkruan KultPlus.

Ky program përfshinë komplet vitin 2018-të, ku janë të përfshira ngjarjet të cilat Ambasada e Francës në Kosovë i përkrah. Ndërsa në Francë në shumicën e muajve të vitit 2018-të, do të ketë nga një ngjarje nga Kosova.

Po shpalosim këtu ngjarjet që nga Kosova shkojnë në Francë:

Kësisoj më 17 shkurt në Paris të Francës të ketë një “Teleportim-Prishtina në Paris” ku do të instalohen dy ekrane të mëdha publike. Në mars do të prezantohet ekspozita e Jakup Ferrit dhe do të mbahet “Pranvera e Poetëve”. Në maj do të prezantohet Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës me një shfaqje ndërsa Kosova do të jetë edhe në Festivalin e Kanës. Në Qershor në Annecy do të mbahet Festivali i Filmit të Animuar. Shtatori në Paris do ta dërgoj Mini-Dokufest-in, ku do të shfaqen filma të përzgjedhur të metrazhit të shkurtër. Tetori nga Kosova në Francë do të dërgoj festivalin e shijes ndërsa krejt në fund muaji nëntor do të ketë një koncert nga Blerta Kosova, BiCalko dhe Tandem.

Programi i përbashkët vjetor i Ambasadave është gjithashtu një mundësi për të promovuar, për publikun e të dy vendeve, aktivitete të cilësisë të lartë, të hapura për të gjithë dhe të theksohen pikat e kontaktit mes qarqeve kulturore dhe qytetarëve të të dy vendeve./ KultPlus.com