Me artistë & program të jashtëzakonshëm Kori ‘Okarina’ shënon dhjetë vjetorin e themelimit

Me një program të jashtëzakoshëm është shënuar mbrëmë 10-të vjetori i Korit “Okarina”, në shtëpinë e Kulturës “Xhavit Haziri” në Obiliq, shkruan KultPlus.

Me zëra kristal që jehuan gjatë tërë mbrëmjes u kurorëzua një dekadë e Korit që për objektiv ka përjetimin e artit të mirëfilltë dhe krijimin e talentëve të rinj për skenën muzikore. Magjia e korit e gërshetuar me artistë të shquar të këngës i dha koncertit jubilar tjetër nivel.

Në mesin e artistëve që interpretuan në këtë koncert që shënonte 10-të vite punë, përkushtim, këngë, magji dhe emocione të paharrueshme ishin: Sinan Vllasaliu, Irma Libohova, Elikonë Hysaj, Adelina Thaçi, Adelina Paloja, Arbër Salihu, Adea Pula, Andra Rexhepi, Elona Sadiku, Anna & Ninna Krasniqi dhe pjesëtarët tjerë të Korit “Okarina”.

“Heal the World” e Michael Jackson interpretuar nga Anna Krasniqi, Dea Sokoli, Erzana Iseni, Reaina Miftari, Kori i Grave dhe i Burrave si dhe të gjithë artistët tjerë ishte qershia mbi tortë e kasaj mbrëmje të paharrueshme.

Veprat tjera që u interpretuan ishin: “Eja me mua”, Kolazh me këngë nga “Planeti  fëmijëve”, “Miqësia”, Mos u nervozo” “2+2=3”, “Mos ua prishni lumturinë”, “Another brick in the wall”, “Revolting Children”, “Vuelie”, “Hej ju male”, “Valsi i lumturisë”, “Adiemus”, Dhuratë për ditëlindje”, “Babi pse brengosesh” dhe “Kthehu rini”.

Ovacionet e publikut ishin treguesit më të mirë të përmbajtjes dhe prezantimit të koncertit, i cili u mbajtë në këtë periudhë festive.

Drejtoresha e Korit, Elikonë Hysaj-Shala koncertin jubilar të Korit Okarina e ka cilësuar si përvojë të jashtëzakonshme./ KultPlus.com