ASHSH, aktivitet për 100-vjetorin e koncertit të parë të një orkestre filarmonike në Shqipëri

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, u mbajt koncerti “Crazy Night of Classical Music with Life and Music Concept Orchestra by Kledis Rexho” me rastin e 100-vjetorit të koncertit të parë të një orkestre filarmonike në Shqipëri. Në këtë koncert interpretuan artistët: Marla Hoxha, Era Kume, Ionel Streba, Kledis Rexho, Albana Bajraktari dhe Tea Peti.

Programi përmbante vepra të kompozitorëve më të njohur në rang botëror si Mozart, Bach, Beethoven, Vivaldi, Shostakovitch e të tjerë, por edhe kompozitorë të mirënjohur shqiptarë si Avni Mula e Vaso Tole.

Kledis Rexho falënderoi Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që duke mbështetur koncertet e “Life and Music Concept Orchestra” jep një kontribut për rrugëtimin e muzikantëve të rinj.

“Është kënaqësi e veçantë të përcjellësh eksperiencën artistike prej gati 15 viteve në France, Monaco dhe Luxembourg, për fëmijë muzikantë kaq të motivuar dhe të talentuar”, është shprehur ideatori i koncertit, Rexho./atsh/KultPlus.com

100-vjetori i gërmimeve të Leon Rey, ekspozitë në Muzeun Arkeologjik Apoloni

 Qendra Muzeore Berat dhe Parku Arkeologjik Apoloni, në 100- vjetorin e gërmimeve të Leon Rey, çelën ekspozitën fotografike ” Muzeu në valixhe”. Ekpozita e Muzeut Ikonografik “Onufri” çelet në ambjentet e Trapezarisë, pjesë e Muzeut Arkeologjik Apoloni. Për të gjithë vizitorët e Parkut Arkeologjik Apoloni, kjo ekspozitë sjell më afër imazhet e ikonave dhe Muzeut Ikonografik Onufri, që do të qëndrojnë të ekspozuara aty përgjatë 1 muaji.

Për gati 14 vjet, nga viti 1924 e deri më 1938-ën, arkeologu francez Leon Rey zhvilloi fushatën e gërmimeve studimore arkeologjike. Një pjesë e thesareve arkeologjik të gjetura nga Leon Rey, gjenden në qytetin antik të Apolonisë. Objektet që dolën nga gërmimet e tij pranë qendrës monumentale të Apolonisë, janë pjesë e koleksionit të MAA.

Rey ishte themelues i revistës “Shqipëria-një përmbledhje e arkeologjisë, historisë, artit dhe shkencave të aplikuara në Shqipëri dhe Ballkan” (1925), ai botoi rezultatet e punës së tij atje deri në vitin 1939. Rey gjithashtu themeloi dhe organizoi Muzeun Vlona (1937), por pushtimi italian i Shqipërisë e shkatërroi muzeun.

Në vitin 1945, ai u përpoq të rikthehej në vend, por iu refuzua qëndrimi. Leon Rey vdiq më 3 nëntor 1954 në Paris./atsh/KultPlus.com

Ripërpunohet kënga e Kongresit të Lushnjes në 100-vjetorin e parlamentit

Në kuadrin e veprimtarive për kremtimin e 100-vjetorit të parlamentarizmit shqiptar, nën kujdesin dhe me mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë, është ripërpunuar dhe publikuar Kënga e Kongresit të Lushnjes, shkruan Konica.al

Më, 21 Janar 2020 parlamentarizmi shqiptar do të mbushë një shekull jetë.

Kuvendi i Shqipërisë ka nisur punën prej vitit të kaluar për një sërë aktivitetesh për celebrimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme të historisë kombëtare.

Kongresi i Lushnjes i zhvilloi punimet nga 21-31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina.

Kongresi i Lushnjes kreu punimet në shtëpinë e patriotit lushnjar, Kasëm Fuga, nga 21 deri më 31 janar te vitit 1920.

Në Kongres morën pjesë delegatë të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria. Qëllimi i Kongresit ishte studimi i situatës së brendshme dhe të jashtme të vendit dhe masat që duhet të merreshin për shpëtimin nga reziku i coptimit të Shqipërisë.

Delegatëve i uroi mirëseardhjen në Kongres Ferit Vokopola që ishte delegati i Prefekturës së Beratit, Lushnjes dhe Skraparit. Pas Vokopolës, fjalën e mori patrioti i famshem i asaj kohe Aqif Pashë Elbasani. Aqif Pasha ju përgjigj shkurt të gjitha pyetjeve të bëra nga delegatët duke mbyllur keshtu ceremonin e hapjes së Kongresit. Mbas ceremonisë së hapjes, u bë ndarja e deputetëve nëpër grupe (komisione) të ndryshme, të cilat filluan nga puna menjëherë. Në mbledhjen e dytë të kongresit, e cila u mbajt më datën 24 janar, u zgjodh si Kryetar i Kongresit Aqif Pashë Elbasani.

Po atë ditë nga ana e delegatëve u mbajtën fjalime të ndryshme mbi vrasjen e patriotit Abdyl Ypi, i cili kishte qenë një nga iniciatorët e mbajtjes së atij kongresi. Abdyl Ypin e kishin vrarë njerëzit e qeverisë së Durrësit, pak ditë përpara mbajtjes së asaj mbledhje, me qëllim që të frikësonin delegatët për të mos marrë pjesë në Kongresin e Lushnjes.

Mbas këtyre fjalimeve, me vendim unanim nga të gjithë delegatët u vendos që t’i dërgohej një telegram ngushëllimi familjes së Abdyl Ypit dhe pas formulimit të atij telegrami, u mbyllën punimet e asaj dite për të filluar të nesërmen më 30 janar. Mbledhja e tretë që u mbajt atë ditë, vendosi mbas shumë diskutimesh që të bëheshin protestat më të ashpra, kundër vendimit të Fuqive të Aleatëve, për zbatimin e Paktit të fshehtë të Londrës, i cili ishte mbajtur më 26 prill të vitit 1915-të, pakt i cili sanksiononte copëtimin e Shqipërisë.

Pas këtij vendimi, mbledhja analizoi qëndrimin e qeverisë së Durrësit, si në situatën e brendshme, ashtu dhe në atë të jashtme. Nga kjo analizë u nxuarr si konkluzion se ajo qeveri kishte dalë dhe kishte vepruar jashtë programit të dhënë prej Kongresit të Durrësit, që ishte mbajtur në 25 dhjetor të vitit 1918-të. Po ashtu ajo qeveri kishte penguar mbledhjen e Senatit që ishte vendosur në Durrës dhe me administrimin e saj të keq, e kishte futur vendin në një anarki të madhe e kishte çuar në krijimin e një situate të acaruar politike.

Nisur nga këto, ajo qeveri ishte përpjekur me çdo kusht për ta penguar mbajtjen e Kongresit të Lushnjes. /KultPlus.com

Një jetë në shërbim të kombit

100-vjetori i Anton Çetës, nga e mbara nuk është thjesht një ditë, por i gjithë viti, për të përmbushur detyrimin tonë karshi kësaj figure emblematike të botës shqiptare…

Anton Çetta, apo siç njihej edhe me nofkën Kryeplaku i Kosovës, në kohën kur populli shqiptar ballafaqohej me egërsinë dhe barbarinë serbe, që i kishte përçarë e hasmëruar armiku sllav, në propozim të një grupi të rinjsh nga Peja, kishte arritur që t’i prijë karvanit të pajtimtarëve që të falin gjaqe, plagosje e ngatërresa të rënda

Shkruan: Frrok KRISTAJ

Studiuesi që dha kontributin më të madh në letërsinë gojore shqiptare ishte Anton Çetta. Rëndësia dhe vlera e materialeve të mbledhura e të botuara nga Anton Çetta nuk shprehet vetëm në sasinë e tyre, por, para së gjithash, në cilësinë dhe shumëllojshmërinë e tyre. Ai i mblodhi dhe i publikoi (me botime të veçanta e nëpër revista shkencore) ato krijime që kishin një kuptimësi të qenësishme për botën shqiptare në përgjithësi dhe për botën shpirtërore të shqiptarëve në veçanti.
Ato krijime ngërthejnë në vetë aso kuptimesh e aso vlerash që mund ta pasurojnë edhe më shumë artistikisht shpirtin e shqiptarit. Me një fjalë, ai voli materialet folklorike të kësaj letërsie të pavdekshme, në të cilën rreh zemra e popullit, pasqyrohen aspiratat e mendimet kombëtare e uneversale të tij.
Anton (nga i ati Lazër dhe e ëma Agata) Çetta u lind në Gjakovë, më 3 janar 1920, pra para plot 100 vjetëve (3 janar 2020). Ishte vetëm nëntë muajsh kur u shpërngulën prindërit e tij në Tiranë. Atje ata jetuan tre vjet. Meqenëse i ati i Antonit – Lazëri i takonte Partisë Demokratike të Fan S. Nolit, regjimi i mbretit Zog e kishte burgosur. Pas lirimt nga burgu, Lazëri me bashkshorten Agata dhe djalin Anton kthehen në Prizren. Në këtë qytet muze Anton Çetta kreu tri klasë fillore te mësuesi zymjan Lazër Lumezi, që atëbotë ishte intelektual i njohur. Pastaj, i ati i Antonit me familjen e vet migruan në Francë. Këtë migrim e bëri nga frika se pushteti mbretëror e kishte në shenjestër për ta riburgosur. Në Francë qëndroi deri në vitin 1928, ku u kthye në Tiranë e ku qëndroi deri në vitin 1941. Gjatë asaj kohe Antoni i kreu edhe klasat e mbetura të fillores, pastaj ndoqi mësimet në Liceun e Korçës dhe më vonë atij iu akordua një bursë me të cilin ai e vazhdoi shkollimin në Liceun klasik në Milano të Italisë.
Me të kthyer nga Italia gjen punë në Post-telegrafinë e Tiranës prej nga kalon në detyrën e përgjegjësit të Postës në Prizren. Në vitin shkollor 1945-1946 Anton Çetta punoi në Gjimnazin e Prizrenit. Gjatë atij viti udhëhoqi korin e shkollës, por njëherësh ishte edhe ndër anëtarët e para të rregullt të shoqërisë kulturore-artistike “Agimi” të Prizrenit e më vonë edhe kryetar i saj.
Në vjeshtën e vitit 1946 u regjistrua në Fakultetin Filologjik (dega e gjuhës frënge) të Universitetit të Beogradit (në Serbi). Studimet i krue në vitin 1950 ku edhe u emërua asistent në Seminarin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, që funksiononte në kuadër të Fakultetit Filologjik të Uneversitetit të Beogradit. Në këtë detyrë punoi plot dhjetë vjet. Dy-tre vjet më vonë (1952-1953) së bashku me shefin e atëhershëm të Seminarit Shqiptar Vojislav Dançetoviq dhe me Kadri Halimin, etnograf, përgatiti (në tri vëllime) këngët më të njohura popullore të mbledhura në Kosovë dhe në Dukagjin. Meqenëse në ato vëllime kishte botuar edhe këngë popullore për Spiro Kapedanin e Ramë Bllacën, pushteti serb iu kërcënua Antonit me burgosje, e kjo e shtyri ta braktisë Beogradin dhe të kthehet në Prishtinë në vitin 1961, kohë kjo kur edhe në Prishtinë u hap Fakulteti Filozofik. Në këtë fakultet ai emërohet mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe, ku ligjëron lëndën e letërsisë së vjetër popullore (shqiptare).
Në vitin 1968 kaloi në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Atje udhëhoqi degën e folklorit. Plot tëtëmbëdhjetë vjet punoi në Institutin Albanologjik, pra deri në vitin 1986, kur edhe u pensionua.
Për aktivitetin shkencor, kulturor e kontributin e tij në përkthimin e shumë veprave, Anton Çetta u laurua shumë herë me çmime e shpërblime të njohura, e ndër to edhe me Çmimin e Dhjetorit. /KultPlus.com

Përkujtohet 100 vjetori i Madiba – Kush ishte Nelson Mandela?

Dje ishte 100 vjetori i ditëlindjes për Nelson Mandelas. Është i njohur si një super yll sporti apo muzike, idol i miliona njerëzve, çliroi të zinjtë nga apartheidi, bashkoi vendin e tij, me një fjalë, është një legjendë e kohëve moderne dhe bëhet fjalë për Nelson Mandela.

I dënuar me 10.000 ditë burg, diku pak më shumë se 27 vjet, për shkak të mos marrëveshjeve mes të bardhëve dhe të zinjve, Nelson Mandela është bërë sinonim i suksesit të ndryshimeve shoqërore me anë të paqes. Frymëzuesi i shumë shkrimtarëve dhe historianëve, temë e shumë librave që flasin mbi jetën e tij, kanë një gjë të përbashkët: edhe pse qenie njerëzore, vend për kritika nuk ka.

Mbretëresha Elizabeth II, Bill Clinton, Michael Jackson, njerëzit më të njohur dhe të fuqishëm të botës, kërkonin vazhdimisht takime për të biseduar me të. Andaj shpesh Mandale quhet edhe si Madiba i Magjishëm.

Prej në fillim të formimit të karrierës së tij, ai do pëlqente librin “Arti i Luftës” të strategut antik kinez, Sun Tzi, ku spikasin dy thëniet, “fitorja më e leverdishme kundër armikut, është fitorja kur mposhtet pa luftë” si dhe, “ nëse njeh veten dhe armikun, nuk ke pse u frikohesh edhe 100 luftërave të njëpasnjëshme” , pikërisht këto ide do e ndiqnin gjatë gjithë jetës së tij, veçanërisht në procesin e tij gjyqësor, i ashtuquajtur Rivonia, ku e bëri të njohur edhe botërisht. Në këtë proces, ai njihet edhe si armiku numër 1 i shtetit, për shkak të dasive mjaft të mëdha mes të zinjve dhe të bardhëve si dhe të drejtat që kërkonin ato të parët; por përkundër gjithë këtyre, Mandela në procesin gjyqësor do thotë, “E gjithë jeta ima do i përkushtohet luftës së të drejtave të barabarta mes të zinjve dhe të bardhëve dhe për të krijuar një shtet të lirë e demokratik. Nëse dëshironi të nderuar gjyqtarë, unë edhe do vdisja për këtë ideal timin.”

E gjithë kjo erdhi pasi policia afrikane jugore, gjuajti mbi 69 protestues të zi, në vitin 1960, më ç’rast i hapi rrugën edhe apartheidit 30 vjeçar në këtë shtet.

Një ndër sukseset e tij të magjishme ishte edhe mbajtja e Kupës së Botës në Afrikën e Jugut, duke u bërë shteti i parë afrikan që organizoi këtë eveniment të madh sportiv. Kjo kishte domethënie të madhe për të, pasi Mandela shpesh thoshte, “ sporti ka fuqinë e ndryshimeve në shoqëri, pasi është me e fuqishme sesa qeveritë.”

Ky njeri, kishte fuqinë për të ndryshuar vendin e tij në formën më paqësore të mundshme, ku dallimet mes racave ne vendin e tij u çrrënjosën. Këtë e dëshmuan edhe vendet e kultit gjatë varrimit të tij, ku të bardhët dhe të zinjtë luteshin së bashku për shpirtin e tij.

Ai u bë hero për Afrikën, ashtu siç është Simon Bolivari për amerikano latinët, Mahatma Gandhi për indianët dhe Marthin Luther Kingu për të zinjtë amerikanë.

Me rastin e ditëlindjes së tij, do donim ta mbyllnin këtë shkrim me thëniet e Barack Obamës drejtuar botës, “ shikoni se edhe ne mundemi të bëjnë ndryshime” dhe se “jeta ime, pa eksperiencën e Mandelas nuk do kishte vlerë.”

Një histori e shkurtër e tij

I lindur në 18 korrik 1918, në provincën Kap të Afrikës Jugore, Mandela do të shquhet si student i drejtësisë në universitetin Fort Hare, do të bëhet i njohur edhe si avokati i parë me ngjyrë në shtetin e tij, 1956. Për shkak të luftës që i bënte apartheidit afrikan, ai do dënohet me diku 27 vjet si i rrezikshëm dhe komplotist kundër interesave të shtetit. Pas lirimit nga burgu, ai fiton çmimin NOBEL për paqe, 1993, dhe një vit më pas do mban postin e presidentit të parë të Afrikës së Jugut.

Në 2004 jep dorëheqje nga të gjitha postet zyrtare dhe në 5 dhjetor 2013, ndërron jetë në shtëpinë e tij, në moshën 95 vjeçare.

Sot 100-vjetori i lindjes së piktorit të madh Ibrahim Kodra

Si sot 110 vite më parë në Ishëm të Shqipërisë, lindi piktori i madh shqiptar emri i i të cilit thuhet me krenari nga shqiptarët Ibrahim Kodra, shkruan KultPlus.

Ibrahim Kodra lindi më 22 prill të vitit 1918 në Ishëm. Jeta e tij në Tiranë në konviktin e shkollës “Naim Frashëri”, ndërpritet kur mbushi 20 vjeç (1938). Asokohe ai largohet nga Shqipëria përgjithmonë me një bursë studimi nga oborri mbretëror për në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë.

Ai e lëshon Romën dhe përfundon në Milano, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës. Ai ekspozon në Romë, Milano, Venecia, Paris, Beograd, Nju Jork, krijon krahasimet dhe raporte me piktorë të mëdhenj si Pikaso, Marc Chagall, Henry Matisse, Lucio Fontana, Renato Guttuso, me poetë, shkrimtarë, kritikë e regjisorë nga Eugenio Montale dhe Vittorio Sereni, nga Bertoni tek Bruno Munari, dhe Giuseppe Marotta. Në vitin 1948, Ibrahim Kodra u bë mik me Pablo Picasso, pikërisht në këtë temë në “Konferencën Ndërkombëtare për Paqen e Romës”, në të cilën të dy së bashku ata kryen një hulumtim të thellë artistik.

Në hulumtimin artistik të Kodrës, kubizmi i Pablo Pikasos do të ketë shumë ndikim, sidomos pas miqësisë së tyre në Romë më 1948, deri në atë pikë sa të njëjtat gazeta spanjolle që flasin për Pikason treguan Kodrën si “postkubisti i fundit në Evropë” si Picasso.

Ibrahim Kodra ka lënë pas rreth 6 mijë vepra, të shpërndara nga muze privatë, koleksionistë dhe vetëm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara.

Ibrahim Kodra, vdic më 7 shkurt të vitit 2006 në Milano./ KultPlus.com