Kritik letrar, poet dhe filozof, Arshi Pipa ka shërbyer për shumë vite si profesor i Letërsisë Italiane në Departamentin e Gjuhëve të Romancës në Universitetin e Minesotës.
Arshi Pipa vuajti në burgjet dhe kampet e shfarosjes nga viti 1949 deri më 1956. Përveç punës së detyrueshme u bë një nga dorëzanët e mësimdhënies së letërsisë, filozofisë dhe gjuhëve përgjatë dënimit, ku shkroi librin me poezi “Libri i Burgut”.
Lirohet më 26 prill 1956 dhe një natë të fundverës së 1957 arratiset bashkë me të motrën, Fehimen.
Nga Vloçishti e Maliqi, ai arriti të merrte poezitë e ferrit në SHBA, ku u vendos pas arratisjes në 1957, siç i kishte shkruar, në letra cigaresh, për t’i botuar më pas si “Libri i Burgut”. Sot, e gjithë biblioteka dhe krijimtaria e tij i është dhuruar Muzeut Historik Shkodër.
Emigroi në Shtetet e Bashkuara më 1958. Në fillim punoi si arkëtar në një hotel të Nju Jork-ut. Emërimi i tij i parë ishte në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas, ku ligjëroi për filozofi më 1960. Vitin akademik pasues, drejtoi departamentin e gjuhës italiane në City University, Georgia, në “Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë” dhe në të njëjtën kohë jepte mësim filozofi, në “Kolegjin e Arteve të Lira” (verë 1961, dhe ’62). Ka qene pedagog i gjuhës italiane në universitetin Kolumbia në vitet 1961-62, dhe profesor i asociuar i gjuhës italiane, në universitetin e Delfit, Garden City, dhe, në të njajtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira..
Në vitet në vazhdim ligjëroi tema filozofike në kolegjin Adelphi Suffolk. Nga viti 1963-66 ishte profesor i asociuar në vitin akademik 1963-64 në departamentin e gjuhës italiane, në universitetin e Kalifornias, Berkley. Atje jepte kursin e letërsisë moderne italiane dhe drejtonte seminaret e kritikës letrare, (De Sanctis, 1963, Kroçe, 1964, Viko, 1965), po ashtu si dhe në gjuhën shqipe, letërsi dhe folklor më 1965, si dhe filozofi romake. Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph.D).
Përkrahu lëvizjen studentore të Berkley University të Kalifornisë, e njohun si “Free speech movement”, dhe u ba kritik i paanshem i poltikës. Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-69), dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane (Departamenti i Gjuhëve Romane gjatë vitit 1968). Arriti të jetë pjesëtar i Universitetit të Minesotes, si anëtar me të drejta të plota dhe gjithashtu kontribuonte në planifikimin, hartimin dhe ndarjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Programi për gradat e master-it u themelua në vitin 1968, ndërkohë ai ishte drejtues i programit master (“graduate school”) në gjuhën italiane. Temë-diplomat për master dhe disertacionet e PhD u shkruan dhe u miratuan nën drejtimin e tij. U ka dhënë mësim kurseve të ekstrakurrikulare të gjuhëve, të ndara në kurse të ulët dhe të larta, kurseve të qytetërimit dhe të kulturës në anglisht, dhe në veçanti, kurseve ekstra-kurrikulare për shkrimtarët e mëdhenj, (Dante, Bokaçio, Manzoni, Leopardi), në zhanret e “Poezisë kalorësiake”, “Letërsisë Utopike”, dhe temat krahasuese (Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë), përfshi seminaret (Ungareti dhe Montale, Viko dhe Kroçe ). U ka dhënë gjithashtu mësim bashkërisht, kurseve të diplomuara të gjuhëve Frënge dhe Italiane, (Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinë Italiane), duke pasuar me themelimin e programeve të master-it, në gjuhët Frënge dhe Italiane (1970), të konceptuar dhe hartuar me iniciativën e tij. Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Washington, D. C., pranë së motres.
Gjatë kësaj kohe u intensifikuen lidhjet e tij me “Vatrën” dhe “Diellin”. Gjithnji, ai ka qenë bashkëpunëtor i zellshëm i “Diellit”.
Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qëndroi vetëm një vit.
Pipa ka lënë një trashëgimi të pasur në fushën e përkthimeve poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja. Vetëm gjatë kohës njëvjeçare që jetoi si refugjat në Jugosllavi, ai përktheu një vëllim poetik me titull “Lyrika Latine”, (rreth 250 faqe të plotësuara me shënime të ndryshme metrike), mbetur në dorëshkrim. Po ashtu, mbetur në dorëshkrim, është edhe një vëllim poetik i shkruar në tri gjuhë evropiane me titull “Autobiografia”. / KultPlus.com