U hap dje ekspozita “105-vjetori i shpalljes së Pavarësisë”

Pena me të cilën është nënshkruar Akti i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, aparatin telegrafik mors me të cilin qeveria e përkohshme e Vlorës ka marrë e ka dhënë telegrame gjatë periudhës 1912-1914, objekte personale të protagonistëve të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë janë pjesë e ekspozitës “105-vjetori i shpalljes së Pavarësisë”, që u çel dje në Muzeun Historik Kombëtar.

Pjesë e ekspozitës janë dhe 30 flamuj të periudhës së Pavarësisë, foto origjinale të Ismail Qemalit dhe foto të firmëtarëve. Por për herë të parë për publikun janë ekspozuar dhe 14 telegrame të përfaqësive të rretheve të ndryshme të Shqipërisë, prej nga dolën delegatët e Kuvendit të Vlorës në 1912. Presidenti i Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve të Shqipërisë, Shpëtim Sala tha se ekspozita “105-vjetori i shpalljes së Pavarësisë” vjen në frymën e shumë bashkëpunimeve me Muzeun Historik Kombëtar. Ai shtoi se e veçantë në këtë ekspozitë është dhe paraqitja e 14 telegrameve, të cilat hedhin dritë se çfarë ka ndodhur gjatë ditëve të ngarkuara të nëntorit të vitit 1912. “Ka shumë gjëra të reja që evidentoheshin për përfaqësuesit në marrëdhëniet e qeverisë së përkohshme të Vlorës me ushtri të mbledhura turke, telegrame që i dërgohen nga Ismail Qemali ushtrive pushtuese, ushtrive greke që mos afrohen në një Shqipëri që është e pavarur”, tregon studiuesi Shpëtim Sala.

Por sipas tij shumë telegrame janë të shkruara në gjuhën osmane dhe përkthimi i tyre është shumë i vështirë. “Është e vështirë llogaritja jo e vitit, por e datave. Ne jemi mësuar me një histori që kemi lexuar dhe të censuruar. Dhe sot ne mundohemi që një pjesë e tyre t’ia paraqesim studiuesve”, tha studiuesi Sala në fjalën e tij. Telegramet që për arsye sigurie studiuesi dhe koleksionisti Shpëtim Sala thotë që sollën kopje të origjinaleve, pas përkthimit dhe studimit do të jenë pjesë e një botimi për 106- vjetorin e Pavarësisë.

Festa e flamurit më e veçanta

Sipas drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi festa e flamurit është më e veçanta pasi është ky flamur që i bashkon të gjithë shqiptarët në rajon. “Kjo ditë dhe ky flamur na përbashkon dhe na bën krenar. Ne jemi si vëllezërit Siamezë, kur sëmuret njëri teshtin tjetri. Sipas kësaj sentence, huazuar nga një skenar filmi fort të njohur, dukej se Porta e Lartë e Azisë kërkonte vazhdimësinë e vëllazërimit me shqiptarët e Evropës. Ndërkohë, vështirë ta thuash se edhe shqiptarët, të ndikuar fort nga “dashuria” 500 vjeçare, ku herë pas here u ishte dhënë shansi të merrnin në duar frenat e vetë Perandorisë, po ndaheshin me gëzim nga pushtuesit e lodhur. Ndërsa në 28 nëntor të vitit 1912 pas shumë negociatash të vështira diplomatike në kancelaritë e Evropës, Ismail Qemali dhe 83 delegatët nga të gjithë viset arritën në shpallnin Pavarësinë e Shqipërisë”, cilësoi drejtori i MHK, Dorian Koçi në fjalën e tij, shkruan SotNews. Ai shtoi gjithashtu se në ekspozitë janë të ekspozuara flamujt që janë përdorur që nga viti 1912 deri në 1920 dhe që kanë të bëjnë me përpjekjet e mëdha të shqiptarëve në kuadër të shtetformimit. Objekti kryesor i kësaj ekspozite tematike është pena, me të cilën është nënshkruar Akti i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në ekspozitë janë ekspozuar dhe dorëshkrime origjinale, gazeta e revista të asaj periudhe etj. Një vend të rëndësishëm në ekspozitë zënë flamujt e shoqërive atdhetare, të cilat ndezën dëshirën e patriotëve shqiptarë që Shqipëria të ishte e lirë dhe e pavarur./ KultPlus.com