Banka e Shqipërisë publikon serinë e monedhave numizmatike për 107-vjetorin e Pavarësisë

Si sot, 107 vite më parë, më 28 nëntor 1912, Shqipëria u shpall shtet i pavarur.

Ismail Qemali, në një konferencë që mbajti para personaliteteve shtetërore dhe publike të Vlorës disa ditë pas nënshkrimit të koncesionit për themelin e “Bankës Kombëtare të Shqypërisë”, më 4 tetor 1913, parashtroi shkurt platformën e tij rreth veprimtarisë bankare në Shqipëri. Ai tha ndër të tjera: “Mbetet tani për të shpjeguar një nga punët që bëri më në fund qeveria shqiptare, për të cilën shumë gjëra janë thënë dhe shumë njerëzve u kanë trazuar mendjen. Kjo punë është Banka Kombëtare e Shqipërisë, e cila u themelua disa ditë më parë. Ashtu si çdo njeri, i cili sado i pasur të jetë ka nevojë për kredi, madje sipas kredive që ka kuptohet se sa është nderi i tij. Kështu dhe shtetet kanë nevojë për kredi dhe lavdërohen me kredinë që kanë në gjirin e bursave të përgjithshme. Ju e dini fort mirë se fuqia më e madhe në këtë jetë është Anglia; edhe më i pasuri komb është ai anglez. Po kjo fuqi kaq e madhe, ky popull kaq i pasur a mund të rrojë pa kredi? Jo!”. (shkëputur nga vepra “Monedha, krediti dhe banka në Shqipëri gjatë shekujve”, e Prof. Dr. Kristo Frashërit).

Përmes serisë së monedhave numizmatike: 200 Lekë, 100 Lekë dhe 50 Lekë, me tematikë “100-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë”, përkujtojmë këtë datë të shënuar për vendin tonë. Monedhat paraqesin simbolet e kësaj ngjarjeje: portretin e Ismail Qemalit, Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë, si dhe shqiponjën e flamurit që u ngrit në Vlorë më 28 nëntor 1912. /ATSH / KultPlus.com