108 vjet më parë, më 28 korrik të vitit 1914, fillonte Lufta e I Botërore.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli në vëmendje se lufta pati pikënisje vrasjen e Arqidukës austro-hungarez, Franz Ferdinand nga dora e serbo-boshnjakut, Gavril Princip, pjesëtar i rrjetit “Dora e Zezë”.
Bota u nda në zona të militarizuara. Ballkani dhe Europa u përfshinë në luftë, e cila do t’i kushtonte jetën rreth 9 milionë viktimave në përfundimin e luftës.
Kjo luftë do të sillte edhe ndarjen e territoreve dhe rikrijimin e shtetkombeve të dala nga shpërbërjet e perandorive të mëdha.
Shqipëria, edhe pse nuk u përfshi drejtpërdrejt në luftë, në territorin e saj ndodhën shumë luftime.
Pas mbarimit të kësaj lufte, një pjesë e madhe e popullatës u bë pjesë e shkëmbimit jo të drejtë duke i etiketuar ata si popullatë myslimane dhe joshqiptare. Si rezultat, ata u dëbuan nën shënimin “turq”. Pas mbarimit të luftës, Shqipëria fillon të lobojë fort në arenën diplomatike për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e saj nga padrejtësitë e ndodhura shpeshherë në konturimin e hapësirave botërore.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ofroi për publikun, ballinën e gazetës “The Washington Post”, që hapet me një kryeartikull që flet mbi nisjen e luftimeve. /atsh / KultPlus.com