11 qershori i vitit 1999 shënon Ditën e hyrjes, në Prishtinë, të trupave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Llapit dhe forcave që kishin vepruar ilegalisht në kryeqytet edhe gjatë luftës, shkruan KultPlus.
21 vjet më parë forcat e UÇK-së kishin hyrë në periferi të qytetit, ndërsa forcat ushtarake e policore serbe kishin filluar tërheqjen, sipas Marrëveshjes së Kumanovës të arritur më 9 qershor të vitit 1999. Më 12 qershor nga bazat e tyre në Maqedoni kishin filluar depërtimin në Kosovë forcat tokësore të NATO-s të quajtura forcat paqeruajtëse të KFOR-it, pastaj edhe administrata e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, përmes një postimi në Facebook ka uruar qytetarët për këtë ditë e cila u arrit me shumë sakrifica.
“Janë bërë 21 vjet që Prishtina frymon lirshëm!
Kaluam shumë sfida, momente të vështira por kishim edhe shumë gëzime. Ka vështirësi të shumta edhe tani. Por Prishtina për secilën ditë që kalon është më e mirë për qytetarët e saj. Për çdo ditë që kalon, një punë e mirë nis ose përfundon në kryeqytetin tonë, që i mirëpret të gjithë pa dallim.
Nuk do të ndalemi së punuari ndershëm për të mirën e Prishtinës. Sepse ky është nderimi më i madh që mund të u bëjmë atyre që u flijuan për çlirimin e qytetit tonë!
Qytetarë të Prishtinës, urime Dita e Çlirimit!”, ka shkruar Ahmeti. / KultPlus.com