Pak javë pasi festoi ditëlindjen e 113-të, ajo gjeti veten nën kujdes të mjekëve në shtëpinë e kujdesit ku qëndron në Spanjën verilindore, duke vuajtur nga koronavirusi.
Tani Maria Branyas – e shëruar plotësisht dhe që besohet të jetë më e moshuara që i ka mbijetuar virusit – po kërkon një rend të ri botëror.
“Duhet të bëhet gjithçka nga fillimi dhe ndryshe”, ka thënë Branyas, duke përshkruar se një transformim është borxh ndaj atyre që kanë vdekur nga virusi. “Duke parë moshën time, me gjasë nuk do të jem aty. Por më besoni, një rend i ri botëror është i domosdoshëm”.
Lajmi se Branyas, spanjollja më e moshuar e gjallë, i ka mbijetuar koronavirusit “pushtoi” botën javën e kaluar, duke ofruar pak buzëqeshje për një nga vendet më të prekura të botës. Në Spanjë, deri tash virusi ka marrë jetën e më shumë se 27 mijë persona.
COVID-19 kishte shpërthyer në qytetin Olot ku jeton Branya në fund të muajit mars. Stafi i shtëpisë së kujdesit kishte vazhduar të kujdesej për banuesit. Virusi ka marrë jetën e 17 nga 133 personat që jetonin në këtë shtëpi. Branya ka tejkaluar edhe gripin spanjoll të 1918-së, dy luftëra botërore e luftën civile në Spanjë. Ajo tejkaloi edhe koronavirusin, por ka thënë se u mërzit shumë pasi, sipas saj, u prek pjesa e harruar e shoqërisë.
“Pandemia ka treguar se njerëzit më të moshuar janë pjesa e harruar e shoqërisë sonë”, ka thënë ajo në një intervistë për “Observer”. “Ata luftuan gjithë jetën e tyre, sakrifikuan kohë e ëndrra për kualitetin e jetës së sotme. Nuk e kanë merituar të largoheshin nga kjo botë në këtë mënyrë”. / KultPlus.com