N’fillim donim veç jetë, Pastaj fjalë t’lirë e mendim, Më vonë kërkuam liri, …n’fund luftuam për largim.
Largim pas një shekulli t’zi, Lotë e gjak deri tek ti Pavarësi. Por sot s’di çka je, sot dyshoj n’ty, Nëse ende je mendim, largim e liri, Atëherë, mos prano gjymtim, …mos u kthe n’varësi!
Kosova sot shënoi 12 vjetorin e pavarësisë, KultPlus ishte në sheshin e Prishtinës për të parë nga afër dhe për të intervistuar qytetarët të cilët të lumtur festonin këtë 12 vjetor.
“Ma me rëndësi se Kosova për
popullin tonë nuk ka, Kosova është jeta jonë”, ishin fjalët e bacës Abdyl,
i cili me lotë në sy e me një qese në dorë, ishte nisur nga Ribari i Madh,
Goleshi, për të mbërritur në kohë e për ta festuar përvjetorin e pavarësisë së
Kosovës, shkruan KultPlus.
Ai kishte ndërruar disa taksi, e kombi
për të arritur në Prishtinë dhe për ta përjetuar edhe njëherë lumturinë që e
kishte përjetuar edhe para 12 viteve.
“Po vetëm një shtet e kemi! Ju nuk e dini se çfarë kemi hequr ne nga serbët, edhe fëmijët m’i kanë marrë, e si të mos e festojmë këtë ditë të madhe”, ishte shprehur Abdyl Rama.
Ai edhe vitin e kaluar kishte ardhur nga
Sarajeva për ta festuar, por tashmë ky vit ishte më ndryshe për të, me qeverinë
e re ai shpreson për më të mirën e këtij vendi.
“Do të bëhet mirë për juve, rininë e
Kosovës, ju jeni ardhmëria jonë”, u shpreh ai.
E me fytyrë të ngallëzyer, niset për në
sheshet e Prishtinës, për të festuar deri në mbrëmje 12-vjetorin e Kosovës.
Nderkaq, në sheshet e Prishtinës mbretëronte
atmosferë e madhe festive. Dielli i
fortë rrezonte mbi fytyrat e lumtura të qytetarëve të
Kosovës, zhurma e daulleve
degjohej anë e kënd, e flamujt valviteshin mbi qiellin e kaltër, ndërsa vallja
kosovare nuk mungonte në asnjë cep.
KultPlus kishte ndalur edhe një
qytetar tjetër, Hajdin Hysenin. Me entuziazëm e me një flamur të
vogël në dorë , ai shihej duke u nisur drejt atmosferës në sheshin “Zahir Pajaziti”. Hajdini u shpreh se ky vit e ka gjetur më të
lumtur Kosovën.
“Qeveria e re do të ndryshojë Kosovën sepse së pari i kanë vendos më shumë flamujt e Kosovës! Tash jemi të gëzushëm, jemi shumë mirë dhe do të bëhet edhe më mirë ” – thotë qytetari Hyseni.
E ky 12 vjetor i pavarësisë së Kosovës, si duket po ua mbush shpirtërat me gëzim të gjithëve që luftuan ta shohin në këtë ditë Kosovën e tyre. / KultPlus.com
Me ngritje të flamurit ka nisur ceremonia e shënimit të 12 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishte shefi i Qeverisë, Albin Kurti, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, komandanti i FSK-së, ministra e zëvendësministra,
Ngritja e flamurit u bë nga garda ceremoniale nën intonimin e himnit nga bendi i FSK-së.
Më pas nderime nga figura të LDK-së janë bërë edhe te shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova. / KultPlus.com