Pushuesit dimëror kishin mbërritur në Valbonë për të kaluar atje ndërrimin e viteve dhe për të vazhduar pushimet disa ditore.
E gjendur mes maleve të thepisur dhe ujit të lumenjve e liqeneve, Valbona është një vend ku mund të befasohesh nga natyra dhe trashëgimia kulturore. Ky ndërrim vitesh e gjeti luginën të zbardhur nga bora e përhershme.
Peizazhe shumëngjyrëshe, male të larta, lumenj, lugina, kjo është panorama që ofron malësia e Tropojës për çdo turist të huaj që dëshiron të eksplorojë një vend që befason me kontraste natyrore dhe me kulturën e jetesës.
Vetëm këtë vit, në Luginën e Valbonës u futën rreth 120 mijë vizitor të huaj dhe vendas, thotë për ATSH Besnik Hallaci, Drejtor i Parkut Natyrorë të Tropojës.
Bukuritë e rralla natyrore vijnë të gërshetuara me trashëgiminë kulturore dhe atë historike të trashëguara brez pas brezi. Të gjitha këto shoqërohen nga tradita mikpritëse e vendasve, një vlerë kjo e njohur tashmë edhe nga bujtësit e huaj.
Lugina e Valbones është shpallur Park Kombëtar në janar të 1996. Konsiderohet si mrekullia e Alpeve. Kufizohet me Parkun Kombëtar te Thethit dhe zonën natyrore të mbrojtur ”Lumi i Gashit” së fundmi i mbrojtur nga UNESCO për vlerat e biodiversitetit.
Territori i tij përshkohet nga rruga automobilistike Bajram Curri-Dragobi-Valbonë e Çerem.
Ka maja të larta e të thepisura dhe për çdo stinë ndërron koloritin e ngjyrave dhe duke paraqitur një dinamikë të jashtëzakonshme imazhesh në kushtet e një lugine plot të papritura e me shumë labirinte.
Valbona është lumi më i madh i Alpeve që derdhet në Drin. Zbritjet e lumit nga Bjeshkët e Rragamit e Çeremit plot zhurmë e shkumëzim janë një impresion i veçantë për turistët. Uji është i pastër,i kthjellët,i rrëmbyeshëm dhe mjaft i tejdukshëm.
Në natyrën e larmishme, të këtij terreni mund të praktikohen të gjitha llojet e sporteve. Këtu do të gjeni borën e përjetshme edhe gjatë verës. Parku është i pasur me guva e shpella, ku njëra prej tyre është dhe shpella e Dragobisë.
Është zona më e ftohtë e vendit me dimër të gjatë e të ashpër. Në disa raste temperaturat zbresin ne – 10° C deri ne – 20°C., ndërsa vera është mjaft e freskët. Hoteleria është ajo tradicionale me ndërtesa kryesisht dykatëshe të stilit tradicional, me çati të pjerrëta e në të rrallë edhe me tjegulla, por së fundmi janë ngritur hotele bashkëkohorë me të gjitha komoditet. Vizitorët këtu gjejnë ushqim tradicional, shtrojë e mbulojë, pra, gjithçka.
Rruga deri në Valbonë është një mrekulli më vete me peisazhe pyjore e ujore, male e lugina mbresëlënëse. Lundrimi me tragetin Fierzë-Koman paraqet një atraksion të vërtetë turistik për këdo që viziton Valbonën në të katër stinët./ KultPlus.com