Si bëhet flija, cili është vendi i preferuar në Kosovë, urimi i veçantë i amerikanëve para 4 vitesh

Në 13-vjetorin e Pavarësisë, vendin tonë e uruan njerëz nga e gjithë bota, por një urim shumë i veçantë kishte ardhur para 4 vitesh, e që do të mbahet mend për shumë gjatë.

Ambasadori i atëhershëm i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie dhe stafi i tij ishin përgjigjur në disa pyetje lidhur me Kosovën dhe traditat e kosovarëve.

Ata u pyetën nëse dinë se si bëhet flija apo se cila ishte fjala më e preferuar nga shqipja apo gjuhët tjera zyrtare, cili vend iu pëlqen më shumë në Kosovë, maja më e lartë apo pija e preferuar.

Përgjigjet e tyre interesante i gjeni në këtë video të publikuar në vitin 2017./ KultPlus.com

Studentët e ‘Jacobs University’, urojnë Kosovën për 13-vjetorin e Pavarësisë

Me rastin e 13-vjetorin të Pavarësisë së Kosovës, shumë studentë të “Jacobs University” në Bremen të Gjermanisë, nga e mbar bota e kanë uruar popullin kosovar në gjuhët e tyre amtare.

Përmes një videoje, Kosova ka marrë urime nga të sudentët e Shqipërisë, Gjermanisë, Belgjikës, Kroacisë, Kazakistanit, Marokos, Japonisë, Spanjës, Jamaicas, Rusisë, Izraelit, Brazilit, Tanzanisë, Myamarit, Palestinës, Pakistanit, Guatemalës dhe Ekuadorit.

Më poshtë ju ftojmë ta shikoni videon./ KultPlus.com

Momenti kur Bush deklaroi se Amerika kishte njohur pavarësinë e Kosovës (VIDEO)

Kosova feston 13-të vjetorin e Pavarësisë e cila ishte shpallur më 17 shkurt 2008.

Kjo pavarësi erdhi pas viteve të tëra të negociatave të dështuara me Serbinë për statusin final dhe nuk mund të arrihej pa përkrahjen e miqve ndërkombëtarë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ishte shteti që e përkrahu Kosovën në rrugëtimin e saj drejt çlirimit nga forcat paramilitare serbe dhe shpalljes së pavarësisë.

Ky ishte momenti kur ish-presidenti amerikan George Bush kishte njohur Kosovën si shtet.

Duke folur për gazetarë gjatë një vizite në Tanzani,  Bush tha se shteti i ri i Kosovës është i përkushtuar që të ketë standardet më të larta të lirisë dhe do të jetë i njohur plotësisht nga SHBA-të.

Ndiqeni videon e AP-së./ KultPlus.com

Meta: Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në të gjitha sfidat e ardhshme

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka uruar ushtruesen e detyrës së presidentes në Kosovë, Vjosa Osmani, në 13-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në mesazhin e urimit të kreut të shtetit thuhet se Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në të gjitha sfidat e ardhshme, si liberalizimi i vizave apo avancimi i procesit të integrimit euro-atlantik të Kosovës.

“Përfitoj nga rasti, që në këtë ditë të rëndësishme jo vetëm për qytetarët e Kosovës por edhe për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen, të përshëndes përpjekjet e jashtëzakonshme dhe arritjet e deritanishme në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve, duke sjellë më shumë stabilitet e begati për Kosovën, si dhe shndërruar atë në faktor të rëndësishëm bashkëpunimi, për paqen në rajonin tonë. Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në të gjitha sfidat e ardhshme, e bindur se maturia politike dhe përgjegjshmëria shtetërore e demonstruar gjatë këtyre 13 viteve Pavarësi, do të vijojnë të shoqërojnë përpjekjet e mëtejshme për konsolidimin e shtetit dhe kurorëzimin në një kohë të afërt të liberalizimit të regjimit të vizave, si dhe për avancimin e procesit të integrimit euro-atlantik të Kosovës”, ka shkruar Metaj në Facebook.

Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë dhënë shembull demokracie në zgjedhjet e të dielës.

“Zgjedhjet e mbajtura para pak ditësh në Kosovë treguan maturi dhe pjekuri politike të qytetarëve të Kosovës, si dhe dhanë një shembull demokracie se si duhet të mbahen zgjedhjet dhe të respektohet rezultati i tyre. Uroj që krijimi i institucioneve të reja të dala nga rezultati i zgjedhjeve të fundit, të jetë sa më i shpejtë, në interes të qytetarëve të Kosovës dhe përparimit në proceset integruese të vendit. Bashkëpunimi vëllazëror dhe Partneriteti Strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës, meriton të fuqizohet dhe konkretizohet në të gjitha fushat, në veçanti për t’ju dhënë një mundësi e perspektivë sa më të madhe të rinjve për të ndërtuar të ardhmen e tyre të sigurtë europiane, në vendet tona dhe për të ndalur shpopullimin. Shqipëria është e vendosur për të mbrojtur Pavarësinë, integritetin territorial dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën. Me urimet më të mira për këtë ditë të shënuar për Republikën e Kosovës, ju lutem pranoni, e nderuar Zonja Presidente në Detyrë, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, ka shkruar Meta./ KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës e jashtëzakonshme mbrëmë, shpalosi rrugëtimin e Kosovës ndër shekuj

Xhemile Hysenaj

Mbrëmë, në nder të 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Salla e Kuqe në Prishtinë mirëpriti Filharmoninë e Kosovës për një koncert madhështor dedikuar historisë e rrugëtimit të popullit të Kosovës ndër vite, shkruan KultPlus.

Para një publiku modest, për herë të parë u interpretua një nga veprat më të mëdha të kompozitorit Valton Beqiri bashkë me atë të Vinçenc Gjinit, “Simfonia in K: Kosova vatra atërore’, një kompozim ky që ngërtheu brenda vetes ‘Rrugëtimin’ gjashtë shekullor të historisë së shqiptarëve.

‘Rrugëtimi’ i Valton Beqirit erdhi para publikut në gjashtë etapa: Nga Kastrioti, Rilindja, Qëndresa, Malli, Liria e deri tek Jeta. Etapa këto që në secilin instrument kishin zënë vend e shpaloseshin me brishtësi përmes tingujve duke depërtuar kështu në secilën skutë e tek secili person që ishte i pranishëm. Secila etapë pasonte me duartrokitje e brohoritje të shumta që veçse i dëshmonin emocionet e mëdha që kishin kapluar publikun.

Filharmonia e Kosovës dikur tubonte mbi 2000 artdashës në Sheshin e Prishtinës, ndërkaq mbrëmë si pasojë e gjendjes pandemike, në Sallën e Kuqe u shfrytëzua vetëm 40% e hapësirës. E gjithë trupa e Filharmonisë ishte në distancën e caktuar dhe me maska të vendosura.

Për Baki Jasharin, e gjithë kjo situatë është tejet e dhimbshme. Në një prononcim për KultPlus, ai flet me nostalgji e emocione të mëdha tek kujton koncertin e 26 qershorit, i organizuar për nder të figurës së Skënderbeut.

“Filharmonia kishte mbledhur diku rreth 2500 persona dhe ka qenë e mahnitshme qetësia absolute që ka mbretëruar gjatë atij koncerti”, ka theksuar Jashari.

Ai, ndër të tjera, ka deklaruar për KultPlus, se agjenda e Filharmonisë për këtë vit është shumë më modeste se viteve të tjera. Ndërkaq në anën tjetër ishte ndarë shumë i kënaqur me performancën e cila kishte ardhur me një presion tepër të madh pasi pandemia Covid19 kishte ndryshuar e vështirësuar pothuajse secilin proces të këtij institucioni.

“Ne kemi pasur obligim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sikurse edhe institucionet tjera kulturore të organizojmë koncert për përvjetorin e pavarësisë duke respektuar masat anticovid. Nuk kemi mundur t’i zhvillojmë provat e kompletuara me këtë staf pasi hapësira është shumë e vogël dhe ne duhej t’i respektonim vazhdimisht masat anticovid, kam kontaktuar gjatë gjithë kohës me IKSHPK-në për t’u koordinuar. Dhe është akoma e dhimbshme që ne nuk kemi Sallë koncertale, jemi mjerisht në këtë Sallë të Kuqe me hapësirë kaq të vogël”, ka deklaruar tutje Jashari për KultPlus.

E gjithë ky organizim kishte një domethënie të madhe për kompozitorin Valton Beqiri, për të cilin lavdatat e duartrokitjet nuk kishin të ndalur. Ai për KultPlus tha se shpreson që ky koncert të jetë prapë pjesë e repertorit dhe pse jo të shfaqet edhe në vende tjera.

“Realisht koncertet e tilla që përkojnë me një ansambël kaq të madh, është mëkat që realizohen me një numër të limituar të shikuesve, por megjithatë veprat vazhdojnë e përçojnë mesazhin e tyre”, ka potencuar Beqiri për KultPlus.

Një koncert ky që emocionoi të gjithë, përfundoi me brohoritje e duartrokitje të pafundme, për pothuajse një orë bëri që e gjithë kjo situate e tmerrshme që ka kapluar botën të harrohej e publiku të lundronte qetazi në secilën notë. / KultPlus.com

Në 13-vjetorin e Pavarësisë, SHBA-ja: Raporti me Kosovën i palëkundshëm

Në 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur se marrëdhëniet mes dy shteteve mbesin të palëkundshme.

Përmes një postimi në Facebook, Ambasada amerikane ka thënë se mbështet popullin e Kosovës në krijimin e një vendi paqësor e më të zhvilluar për qytetarët e saj.

“Teksa festojmë Ditën e Pavarësisë së Kosovës, partneriteti SHBA-Kosovë mbetet i palëkundshëm. Ne qëndrojmë në krah të popullit të Kosovës teksa ju ndërtoni një shtëpi të drejtë, paqësore e prosperuese për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në urimin e SHBA-së. / KultPlus.com

Mbretëresha Elizabeth II, Steinmeier, Macron dhe Mattarella telegrame urimi për ditën e pavarësisë

U.d. Presidentja Vjosa Osmani ka pranuar telegrame urimi për 13-vjetorin e pavarësisë së Kosovës nga Mbretëresha Elizabeth II e Mbretërisë së Bashkuar, presidenti gjerman Frank- Walter Steinmeier, presidenti francez Emmanuel Macron dhe ai italian Sergio Mattarella.

Në telegramin e Mbretëreshës Elizabeth II, ajo ka uruar popullin e Kosovës për ditën e pavarësisë, duke shfaqur shpresën për tejkalimin e sfidave nga pandemia.

Kurse presidenti gjerman Steinmeier, në telegram ka theksuar progresin e Kosovës në procesin e integrimit evropian.

“Reformat vendimtare dhe të qëndrueshme për forcimin dhe sundimin e ligjit, si dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, edhe më tej janë qenësore për ta vazhduar këtë rrugë. Rifillimi i dialogut vitin e kaluar me ndërmjetësimin e BE-së, ishte një hap i rëndësishëm”, thuhet në telegramin e presidentit gjerman.

Edhe homologu i tij francez, presidenti Macron, duke uruar popullin e Kosovës për ditën e pavarësisë, ka potencuar rëndësinë e rifillimit të dialogut me Serbinë.

“Unë do të doja të përshëndesja angazhimin e Kosovës në dialogun me Serbinë që nga rifillimi i tij, pas takimit të nivelit të lartë, të cilin kancelarja Merkel dhe unë e mbajtëm më 10 korrik 2020. Unë mbështes plotësisht ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit të posaçëm për dialogun, z.Miroslav Lajçak, me synimin për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme”, thuhet në telegramin e presidentit Macron.

Ndërkaq presidenti italian Mattarella, gjithashtu ka përgëzuar popullin e Kosovës në 13-vjetorin e pavarësisë, duke potencuar mbështetjen për procesin e dialogut me Beogradin./ KultPlus.com

Biden i dërgon telegram urimi Osmanit për ditën e Pavarësisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, i ka dërguar një telegram urimi ushtrueses së detyrës së presidentes Vjosa Osmani, me rastin e 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në këtë letër Biden tha se SHBA-të mezi presin të punojnë me qeverinë e re në rrugën drejt integrimit në Bashkim Evropian,.

Ai  shtoi se ka shumë punë për të bërë drejt arritjes së një marrëveshje për normalizim të raporteve me Serbinë që në qendër do të ketë njohjen reciproke.

Bashkangjitur e gjeni telegramin e plotë të Biden dërguar Osmanit./ KultPlus.com

‘Kujtesa e Kosovës: rambouillet’, ekspozita që pritet të hapet në nder të 13-të vjetorit të Pavarësisë

Në nder të 13-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ‘Pjetër Bogdani’, do të bëhet hapja e ekspozitës ‘Kujtesa e Kosovës: rambouillet’, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë do të ekspozohen fotografi të pa-publikuara të fotoreporterit Asllan Krasniqi që japin pamjet e ngjarjeve nga Konferenca e Rambujesë dhe e Parisit në vitin 1999.


Ekspozita hapet në Hollin e Bibliotekës, më 16 shkurt 2021, me fillim nga ora 11:00./ KultPlus.com

Flamuri i Kosovës për rekord Guinnessi për nder të përvjetorit të pavarësisë (VIDEO)

Arbnora Fejza-Idrizi nga Skenderaj po synon që emrin e saj ta shkruajë edhe një herë në librin e rekordeve botërorë.

Me origamitë e saj ajo ka filluar punën për krijimin e një mozaiku në formën e flamurit të Kosovës, njofton Klan Kosova, përcjellë KultPlus.

Përmes 1200 metrave katorë të mbuluar nga origami, organizatorët po synojnë të thyejnë rekordin e ri në Guinness.

E gjitha kjo po bëhet për nder të 13 vjetorit të pavarësisë së Kosovës./ KultPlus.com

Flamuri i Kosovës për rekord Guinnessi (VIDEO)

Posted by Klan Kosova on Saturday, February 6, 2021