Të mërkurën më 28 dhjetor në Teatrin Adriana në Ferizaj, jepet premiera e shfaqjes “1385”, me tekst të Bardh Frangut e regji të Fatmir Hysenit, shkruan KultPlus.
Kjo monodramë vjen përmes aktorit Nexhat Xhokli ndërsa “1385” është një tekst që flet për dramën e të pagjeturve në Kosovë, por me një gjuhë të veçantë, e cila karakterizohet nëpërmjet ironisë, satirës dhe sarkazmit, mbase deri në groteskë. Si e tillë është një dramë e absurdit politik, ku ndeshen morali me amoralitetin, gënjeshtra me të vërtetën, ndershmëria me pandershmërinë, etj. Në fakt është një tekst që nëpërmjet parabolës sjell kujtimin si referencë për kohën që po e jetojmë. Një valixhe që shërben si varr në lëvizje, një lis që shërben si metaforë e qëndrueshmërisë, një çerdhe lejleku në të, si simboli i bukurisë, përbëjnë elementet mbi të cilat ndërthuret konflikti brenda kësaj monodrame.
Shfaqja, vjen të mërkurën me fillim nga ora 20:00 në Teatrin Adriana në Ferizaj./ KultPlus.com