Viktimat e dhunës seksuale bëhen artiste, pikturojnë dhimbjen

Dhjetëra piktura të punuara nga viktimat e dhunës seksuale u ekspozuan në oborrin e Kuvendit të Kosovës në Ditën e të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kjo u bë në ditën e 14 prillit që nga viti i kaluar, me iniciativë të presidentes Vjosa Osmani, shënon Ditën e Viktimave të Dhunës Seksuale. Edhe sivjet, Osmani kërkoi drejtësi për të gjithë gratë dhe burrat e dhunuar seksualisht gjatë luftës.

Angazhim më të shtuar institucional, por edhe të vetë viktimave, kërkoi Shyhrete Tahiri si e mbijetuar e dhunës seksuale.

Edhe Feride Rushiti nga Qendra Kombëtare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve kërkoi përkrahje më të madhe dhe pension për këtë kategori.

Ekspozita qëndroi e hapur gjatë tërë së enjtes dhe secili punim mbante inicialet e autorit apo autores. /KlanKosova /KultPlus.com

Osmani premton angazhimin e duhur që data 14 prill të shënohet si Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale

Pas takimit të sotshëm, me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, me organizatat partnere, (QPDG, Medica Kosva dhe Medica Gjakova) dhe Vasfije Krasniqi-Goodman, përmes një statusi në Facebook ka reaguar edhe Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, shkruan KultPlus.

Ajo është shprehur se 14 Prilli për dikë mund të jetë ditë e një përvjetori të rëndësishëm, datë e lindjes, ditë e parë e punës, e për dikë thjeshtë një ditë e zakonshme, duke përkujtuar kështu edhe barrën e deputetes Vasfije Krasniqi, e cila në vitin 1999 është rrëmbyer dhe dhunuar barbarisht nga forcat serbe. Kjo barrë sipas saj, nuk duhet të bartet e vetme por duhet të ndahet me të gjithë botën, duke luftuar së bashku për të kërkuar drejtësi.

Ndërsa, për sa i përket diskutimit rreth datës 14 Prill, presidentja ka pohuar që  nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, që kjo ditë të shënohet si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke premtuar që në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, të angazhohet për të ndërmarrë të gjithë hapat e duhur institucional për ta shndërruar datën 14 prill në një ditë të shënuar edhe me ligj.

Ky është postimi i plotë i Osmanit:

14 prilli për dikë mund të jetë ditë e një përvjetori të rëndësishëm, datë e lindjes, ditë e parë e punës, e për dikë thjeshtë një ditë e zakonshme. Por, për Vasfije Krasniqin mbetet përherë data kur jeta e saj ndryshoi përgjithmonë. Atë ditë të vitit 1999 ajo u rrëmbye me forcë dhe u dhunua në mënyrë barbare nga forcat serbe. Në këtë ditë, barra e luftës për të ka marrë kuptim tjetër, sepse u shtua aq shumë në peshë e u bë përjetësisht e pashlyeshme.

Barrën që e bartë Vasfija, sot e mbijetuar e dhunës seksuale në luftë, nuk guxojmë kurrsesi të lejojmë ta bartë e vetme, sepse kjo është plotësisht e padrejtë dhe e papranueshme. Ashtu siç e ndau ajo guximshëm dhimbjen, guximin e të vërtetën me ne e me gjithë botën, po ashtu duhet të luftojmë ne krah për krah me të dhe shumë gra e burra të tjerë si ajo, për të treguar të vërtetën e për të kërkuar drejtësi.

Por, siç Vasfija ia doli të jetojë, të mbijetojë, të triumfojë, shembulli e guximi i saj le të na shërbejnë si udhërrëfyes në kërkimin për drejtësi e në komunikimin me të tjerët për këtë pjesë të historisë sonë. Vasfija nuk është e vetme – as në këtë përjetim, por as edhe në rrugëtimin që ka marrë për sjelljen e drejtësisë. Ajo është sot zëri i më shumë se 20.000 të mbijetuarve të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovën tonë.

Sot përveç që diskutuam se duhet të vazhdojmë të flasim gjithnjë e më zëshëm për krimet e kryera nga Serbia e që ende po i mohon, u pajtuam që 14 prilli nga sot e tutje, nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, të shënohët si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Po ashtu, i premtova që në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës do të angazhohemi për të ndërmarrë të gjithë hapat e duhur institucional për ta shndërruar datën 14 prill në një ditë të shënuar edhe me ligj.

Vasfije, na ke pas, ti dhe të gjithë mbi 20.000 të mbijetuar të dhunës seksuale të regjimit barbar serb! / KultPlus.com

QKRMT propozon 14 Prillin si Ditën Kombëtare të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë

Sot, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës së bashku me organizatat partnere, (QPDG, Medica Kosva dhe Medica Gjakova) dhe Vasfije Krasniqi-Goodman, kanë mbajtur një takim me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, shkruan KultPlus.

Në këtë takim, është diskutuar mbi zhvillimin e statusit dhe politikave afirmative për të mbijetuarit e dhunës seksuale nga koha e luftës, duke filluar nga ana shëndetësore, ekonomike dhe ajo sociale.

Njëherësh është kërkuar një mbështetje më e fuqishme për dokumentimin e dhunës seksuale gjatë luftës në kuadër të nismave institucionale dhe drejtësisë tranzicionale.

Gjatë këtij takimi, QKRMT ka propozuar që 14 Prilli të jetë Dita Kombëtare e Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë. / KultPlus.com