Në kuadër të kësaj ekspozite, në një rrëfim për KultPlus, Erlisa tregoi se do të prezantojë afërsisht 30 punime në të cilat dominon natyra e qetë dhe që kryesisht janë të punuara me ngjyra akrilik në pëlhurë.
Gili Hoxhaj
Erlisa Çerkini, pikërisht në muajin kur shënon ditëlindjen e 14-të ka vendosur të shfaq punën e saj rreth dy vjeçare përmes ekspozitës së saj personale e cila do të prezantohet javën e ardhshme në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
Në kuadër të kësaj ekspozite, në një rrëfim për KultPlus, Erlisa tregoi se do të prezantojë afërsisht 30 punime në të cilat dominon natyra e qetë dhe që kryesisht janë të punuara me ngjyra akrilik në pëlhurë.
“Shumica e punimeve që do të prezantohen janë natyra të qeta, pasi në këtë lloj arti e kam gjetur vetën më së miri, por ka edhe peizazhe dhe portrete. Këto punime nga i pari deri te i fundit paraqesin progresin dhe zhvillimin e shkathtësive të mija në pikturë, duke u nisur nga hijet, vijat, drita dhe ngjyrat”, ka thënë Erlisa Çerkini për KultPlus.
Ajo është rritur me pasionin për artin pamor, duke qenë se kjo dëshirë për të pikturuar e ka përcjellë që nga fëmijëria e hershme.
“Dëshira ime për pikturën ka lindur që në fëmijërinë e hershme, por mosha kur kam filluar të merrem më seriozisht me pikturë ka qenë mosha 10 vjeçare”, tregoi tutje Erlisa.
Përkundër që ndjek edhe mësimet në shkollë, angazhimin i saj në pikturë e cilëson si një pasion që e përmbush, ndërsa synon që shkathtësitë e saj në këtë fushë t’i zhvilloi edhe përmes studimeve.
“Përpos mësimeve në shkollë, së bashku me Stinën, motrën time 8 vjeçare jemi të angazhuara edhe në kurse të gjuhës angleze, të shahut, si dhe të gjimnastikës. Në prill dhe qershor të këtij viti, kam arritur të marr vendin e dytë dhe të tretë në garat e gjimnastikës së Kosovës. Pra, ndonëse e angazhuar në shumë fusha, unë arrijë që ta menaxhoj kohën mjaft mirë. Arti nuk më duket asnjëherë ngarkesë, pasi që, e konsideroj si një pasion që më përmbush. Sa i përket studimeve padyshim që do t’i zhvilloj edhe më shumë shkathtësitë e mija në pikturë dhe vizatim duke studiuar pikturën. Unë, gjithashtu parapëlqej dizajnin e brendshëm (Interier), andaj tani për tani kam mendimin, se mund t’i studioj të dyja paralelisht”, është shprehur piktorja e re.
Ajo po ashtu ka qenë pjesëmarrëse në vitin 2015 me një punim në ekspozitën kolektive të organizuar nga Fondacioni për të rinjtë e botës “Ibrahim Kodra” me seli në Lugano të Zvicrës në bashkëpunim me “Da Vinci” ART School. Ndërsa synon që punimet e saj të dalin edhe jashtë Kosovës.
“Po ashtu synoj ekspozimin e pikturave të mija edhe jashtë Kosovës, por nuk e di se sa do të jetë e mundur kjo gjë tani, me siguri herëve të tjera. BKK-ja më ka ofruar objektin e tyre pa pagesë, që unë si nxënëse të mund t’i ekspozoj punimet e mija”, theksoi Erlisa për KultPlus.
Ajo gjithashtu tregoi për KultPlus, se të ardhurat nga dy pikturat që do të shiten, do t’i dhurohen shtëpisë së pleqve dhe SOS fshatit.
Ekspozita do të hapet më 16 nëntor 2017, në ora 19:00 në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” ku do të vazhdoj të jetë e hapur deri më datë 23 nëntor./ KultPlus.com