Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme në kuadër të programit të festimeve të Ditës së Pavarësisë së Kosovës në Sallën e Kuqe në Prishtinë u mbajt koncerti solemn “14 vjet pavarësi” nga Filharmonia e Kosovës.
Me një program me vepra që dëshmojnë histori në kohë por edhe që i flasin lirisë dhe rezistencës, nën dirigjimin e Baki Jasharit dhe Hajrullah Sylës u interpretuan veprat nga autorët shqiptar: uverturë nga opera “Goca e Kaçanikut” nga Rauf Dhomi, “Valsi i pavarësisë” nga Korab Shaqiri, fragmente nga suita simfonike “Skënderbeu”nga Çesk Zadeja, “Baresha” nga Rexho Mulliqi dhe “Qëndresa” nga Valton Beqiri.
Ndërsa në nderim e kujtim të të rënëve për lirinë e Kosovës, u interpretua vepra “Më mirë është paqja” nga Karl Jenkins, punuar në vitin 1999, dedikuar viktima të luftës në Kosovë, si dhe “Dies Irae” nga Giussepe Verdi, vepër kushtuar atyre që nuk janë më në mesin tonë.
Kurse në Teatrin Kombëtar të Kosovës u mbajt koncerti “Festë të madhe ka sot Kosova”.
Ky koncert festiv bëri bashkë Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe Ansamblin Popullor të Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë, të cilët para publikut sollën emocion dhe intepretime shumë të veçanta.
Në kuadër të programit u intepretuan këngë dhe valle të ndryshme shqiptare përfshirë këtu “Mora Fjalë”, “Këngë për Ismaj Qemailin”, “Valle Labe”, “Festa e Bashkimit” e shumë të tjera.
Udhëheqës artistikë të programit ishin Ylber Asllanaj dhe Sokol Marsi ndërsa udhëheqës orkestre Fitim Bytyqi dhe Vlladimir Hasimi.
Në këto aktivitete ishte i pranishëm edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. / KultPlus.com
Profesori universitar në Francë, Nezir Kraki nëpërmjet rrjeteve sociale ka komentuar se si Ambasada e Kosovës në Paris nuk e ka ftuar në festën e Pavarësisë së Kosovës, përcjell KultPlus.
Ai për herë të parë në këtë 14 vjetor, nuk mori pjesë në festën e Pavarësisë së Kosovës. Ndërkaq, ai thotë se arsyet dhe rrethanat për këtë ndryshim do i tregojë një ditë tjetër.
Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:
Per herë të parë në 14 vite shtet, nuk jam ftu në festen e pavarësisë së Kosovës nga ambasada jonë n’Paris.
Jo që jam unë i domosdoshëm në raste të tilla por po behem merak si qenkam kaq anonim n’Parisin e zhurmshem si i vetmi shqiptar ligjerues ne nje Universitet publik ne zemer të Francës, dhe atë në fushen e politikës dhe diplomacisë?!
Ndoshta edhe ky është një dimension i ri i ndryshimt të madh për të cilin jam mobilizu keto vite.
Sa mirë…
Nejse, veç thash ta ndaj me juve këtë habi se me juve flas shlire.
P.s. Arsyet dhe rrethanat e ketij ndryshimi jua tregoj nje dite tjeter. / KultPlus.com
14 vjetori i Pavarësisë së Kosovës mbrëmë u festua nëpërmjet rrëfimeve nga dy gra të cilat përmes dhimbjeve, vuajtjeve, tmerreve të luftës së fundit në Kosovë, u zhytën në shpresë, u shndërruan në inspirim për shkrimtarë e regjisorë dhe u bënë zëri i shumë grave të Kosovës që fuqinë e tyre të brendshme e shpërthejnë rrallëherë por kur ndodh, atëherë nis një histori suksesi, i njëllojshëm me atë të këtyre grave. Pra, Ferdonije Qerkezi dhe Fahrije Hoti, mbrëmë erdhën me një rrëfim të sinqertë e tejet inspirues në KultPlus Caffe Gallery.
Prezenca e tyre përgjatë dy orëve, rezultoi që rrëfimet e tyre të dëgjohen me një vëmendje jashtëzakonisht të madhe, ngase qetësia që këto dy gra posedonin, dëshmoi se krenaria e tyre nuk kishte nevojë për fjalë e as për zë, por ajo shkëlqente përmes syve të tyre që rrezatonin dhimbje, dashuri, lumturi, por mbi të gjitha; mburrje. Mburrje për atë se çfarë kanë arritur, nga një rrugë e shtruar me gropa e kthesa të shumta, deri në një depërtim mbarëbotëror, ku historia e tyre hyri në fushën kinematografike por edhe atë letrare, shkruan KultPlus.
Ferdonije Qerkezi dhe Fahrije Hoti u bënë muza të shkrimtarëve e regjisorëve, ku jeta e Fahrije Hotit është treguar nëpërmjet filmit “Zgjoi”, me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, përderisa jeta e Ferdonije Qerkezit është përcjellë edhe nëpërmjet filmave dokumentar si ajo në vitin 2005, “Ikonë e lotëve” me regji të Ilir Kabashit si dhe “Pritja” me regji të Artan Korenicës, film ky që ka përfunduar por ende nuk është shfaqur, por edhe të librave, ku shkrimtari Ag Apolloni ka shkruar së fundmi librin “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, bazuar në jetën e saj.
Ora shënoi 19:00, dhe një numër i konsiderueshëm i të pranishmëve kishte zënë vendin në karriget e tyre për të qenë sa më afër ngjarjes e për të parë nga afër këto gra që sa herë që ato flasin, sytë e tyre flasin akoma më shumë. Hapësira e KultPlus Caffe Gallery, u mbush me artistë, artdashës, e njerëz të cilët ishin prezent në jetën e këtyre dy grave qysh në fillet e tyre të një jete pas lufte, jetë kjo që u konsiderua edhe një luftë e dytë më vete. Ndërkohë, bashkëbisedimit veçse kishin filluar mes të pranishmëve derisa koha për të nisur mbrëmja erdhi.
Entuziazmi i publikut dallohej jo vetëm në qetësinë absolute që kishte kapluar atmosferën por edhe në lëvizjet e tyre trupore që ishin të drejtuar karshi këtyre dy grave të cilat me një rrëfim jo të lehtë, shpalosën gjithë sfidat e tyre që zunë vend në rrugëtimin e tyre që ishte mbushur plot me dëshira që vendi jonë të jehojë me historinë që mban mbi supe.
Gazeta e parë online për art e kulturë, KultPlus e ka sjellë këtë mbrëmje si një dedikim për këto dy gra të suksesshme në jetë e të cilat sot e përherë do të kenë një rrëfim inspirimi për gjeneratën e re, ani pse kanë vepruar në kushte e rrethana krejt tjera.
Nën moderimin e Vlora Merovcit, në mbrëmjen që shënonte edhe 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Ferdonije Qerkezi dhe Fahrije Hoti nuk ngurruan që të shpalosin emocionet e tyre, vështirësitë dhe sukseset, që janë gërshetuar në jetën e tyre, edhe tash pas plot 22 viteve.
“Sonte është një mbrëmje e jashtëzakonshme sepse në një vend kemi dy gra të cilat u ngritën sikur feniksi dhe i treguan botës për dhimbjen, vuajtjen dhe guximin. Këto dy gra treguan se duke u ngritur mbi dhimbjen, ato për çdo ditë treguan nga një copëz të luftës, vdekjes e zhdukjeve. Dhe këto dy gra inspirim gjetën edhe shkrimtarë, regjisorë e skenaristë të cilat jetën e tyre e shpalosën para botës vetëm e vetëm për të treguar për krimet e rënda që bënë serbët në familjet e tyre dhe për tu shndërruar në zërin e shumë grave dhe familjeve të tjera”, thotë moderatorja Merovci, e cila nisi këtë mbrëmje me një prezantim të dy grave që treguan se kanë forcë të ringjalljes ku njëra ndërtoj fabrikë kurse tjera ngriti muze.
Kurse, drejtoresha e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti, doli për një fjalë rasti për të treguar se këto dy gra janë bërë zëri i shumë grave dhe se familjet që kanë sakrifikuar për këtë vend, duhet të kujtohen.
“Faleminderit që jeni të pranishëm në këtë mbrëmje ku i kemi ftuar dy zonja, Ferdonije Qerkezi dhe Fahrije Hoti. Ne sonte kemi vendosur që 14 vjetorin e shtetësinë tonë ta shënojmë duke i kujtuar edhe familjet që kanë sakrifikuar shumë për këtë vend. Duhet të ndajmë edhe copëza dhimbje, vuajtje por edhe të guximit që këto dy zonja janë bërë zëri i shumë familjeve dhe shumë grave që nuk e kanë pasur fuqinë sikur të këtyre dy zonjave”, thotë Pajaziti.
Sipas saj, në kohën e pasluftës, shumica janë dëshmitarë që nuk ka pasur gra vendimmarrëse dhe pikërisht ishin burrat që kanë udhëhequr vendin me shitjen e fabrikave të vendit tonë duke i dërguar në privatizim e duke e zhbërë pasurinë shtetërore.
“Fahrija e ka bërë të kundërtën, e ka krijuar fabrikën duke u shndërruar në një model për gratë e tjera dhe jo vetëm. Ndërsa, ne jemi dëshmitarë të asaj që Kosova ende nuk e ka një muze shtetëror për pasojat e luftës, por zonja Ferdonije shtëpinë e saj e shndërroi në muze. Unë përkulem para të dy zonjave dhe faleminderit që jeni sonte me ne”, përfundon Pajaziti.
Në ndërkohë, fjalën e morën edhe dy gratë, të cilat së bashku me moderatoren, ato zhvilluan një bashkëbisedim rreth jetës së tyre që nga koha e pasluftës e gjerë më tash.
Mendimet e para të Qerkezit dhe Hotit në takim me regjisorët
“Po jam takuar me regjisorët dhe e kam ndjerë veten më të qetë për këto filmat që janë bërë. Ka qenë një mundësi shumë e mirë për t’i treguar botës historinë tonë dhe filmat në fakt janë shfaqur gjithandej nëpër botë. Jemi të kënaqur që është dikush që është përkujdesur për ne dhe janë bërë ato filma”, thotë Qerkezi.
Ndërsa, Fahrija Hoti shpalos se qysh në vitin 2011, takimi me regjisoren Basholli, ka qenë shumë i frytshëm.
“Kur e kam parë filmin për herë të parë jam prekur shumë sepse më ka kthyer vite më herët. Unë kur jam takuar për herë të parë në vitin 2011 me regjisoren dhe kemi biseduar për historinë të cilën ajo e kishte dëgjuar në media. Erdhi, më takoi dhe biseduam, dhe nuk hezitova fare. Ndoshta kam marrë një rrugëtim të vështirë që më përcjell prapë tek paragjykimet edhe sot por unë jam krenare me atë që nesër apo pasnesër, gjeneratat e reja do të dinë se ka ekzistuar lufta në Kosovë. Por paslufta ka qenë shumë e vështirë për gratë”, thotë Hoti.
Dëshira e Ferdonijes për muzeun historik “Shtëpia tradicionale e familjes Qerkezi”
Shtëpia e saj me gjithë ato fotografitë e gjërat e familjarëve është shndërruar në një muze historik që është emëruar edhe “Shtëpia tradicionale e familjes Qerkezi”. E për këtë dëshirë që është realizuar qysh në vitin 2014, e tregon edhe vetë Qerkezi.
“Unë e kam marrë vendimin vetë pa lejen e askujt që shtëpia ime të shndërrohet në muze, për të lënë trashëgiminë e shtëpisë për gjeneratat që vijnë e për të parë se çfarë ka bërë serbi në familjen time dhe në krejt Kosovën si dhe pasojat e shumta të luftës që rezultoi në zhdukjen e anëtarëve të familjes. Pra, po shtëpinë e shndërrova në muze pa ndihmën e askujt dhe të gjitha ato fotografi unë i kam bërë vetë, të gjitha, pastaj shtëpia zyrtarisht është shpallur shtëpi-muze në vitin 2014”, tregon ajo.
Ajo tutje tregon se përkrahja për këtë vendim, nuk ka ekzistuar fare nga askush dhe se familja e burrit të saj ka qenë kundër kësaj ideje.
Ndërsa, kur kujtojmë se libri “Një fije shprese, një fije shkrepëse” e shkrimtarit Ag Apolloni, tregon detaje nga më të ndryshmet si dhe përshkruan thellësisht shtëpinë-muze, Ferdonije Qerkezi tregon për të pranishmit se si ndjehet ajo kur ajo shtëpi vizitohet nga kushdo.
“Kur vijnë vizitorë, unë e ndjej veten më së miri e më së lehti për arsye se mendoj se është dikush atje që interesohet për këtë shtëpi dhe unë e ndaj dhimbjen me ta. Kemi vizitorë jo vetëm nga Kosova por edhe nga jashtë e edhe nga Shqipëria”, thotë Qerkezi.
“Zgjoi”, emocionet e para dhe fjalia e parë e Fahrije Hotit
“Për herë të parë unë e kam parë filmin kur ka përfunduar dhe asnjëherë nuk kam shkuar në xhirime se ka qenë kohë e punës dhe isha e angazhuar me aktivitete të ndryshme. Filmi tash ka bërë jehonë në gjithë botën por e metë e Kosovës janë ato gra të cilat nuk flasin por shpresoj që tash pas filmit të zonjës Qerkezi dhe ‘Zgjoi’, që ka me pasë edhe gra të tjera të cilat do të tregojnë për vuajtjet e tyre. Megjithatë, filmi personalisht më ka pëlqyer dhe dy fëmijët e mi e kanë pa filmin dhe nuk kam marrë ndonjë reagim negativ nga ta, por përkrahja e tyre ishte në një nivel të lartë”, shpalos Hoti.
Sipas saj, Krusha pas luftës, ka qenë luftë e dytë sepse ka qenë i tërë fshati i thatë dhe ajo kujton që kur janë organizuar protesta, i’u është bashkangjitur grave të Gjakovës, pa e ditë se çfarë po adresohet.
“Filmi shumë mirë e pasqyron atë pjesën e personave të pagjetur dhe pjesët e tjera. Në vitin 2005, kemi filluar të merremi me konservim dhe nuk i kemi plasu në treg për arsye të paragjykimit. Për neve, na është dashur që me bërryla e me gjunjë të shkojmë e të marrim edhe një herë jetën përpara se kemi qenë edhe burrë edhe grua, vetë. Por, fati deshi që njerëzit e mirë, donatorët e organizatat që Kursha të bëhet histori me veprimtarinë e kultivimit të specit”, thotë ajo.
Po ashtu, Fahrije Hoti kujton edhe fjalët e para që i dolën nga goja pasi që pa filmin “Zgjoi” për herë të parë.
“Fjala e parë që kam thënë pasi që shikova filmin ishte: “A bash qashtu më paska ndodh a?”. Kështu që më është trazuar ndjenja para 22 viteve sepse pashë veten se ku jam duke punuar dhe filmi ishte pikërisht ajo se çfarë më ka ndodhur mua”, shpalos Hoti.
Jeta pas xhirimeve të filmit Zgjoi
“Kam pasë fatin të marrë pjesë në Amerikë, në Zvicër e Gjermani si dhe kam pasur edhe ftesa të tjera por në pamundësi që të udhëtoja. Në veçanti, në Amerikë, këngëtarja me famë botërore ishte prezente së bashku me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku së bashku me ekipin e filmit, ajo ngjarje më ka bërë të ndihem e privilegjuar. Komentet që i kemi marrë, kanë qenë jashtëzakonisht të mira në të gjitha vendet. Pata marrë një ‘bravo’ të madhe që kam marrë guximin për të thyer tabutë në Kosovë e për të treguar të vërtetën dhe gjithë ajo se çfarë është përjetuar”, tregon Hoti.
Ferdonije Qerkezi, dëshmitarja që dëshmon çdo ditë të vërtetën
E pyetur nga moderatorja se si ndihet që bota po e dëgjon tragjedinë tonë, Ferdonije Qerkezi tregon se mision të rëndësishëm e ka çështjen e të zhdukurve.
“Unë e ndjej veten shumë mirë që e tregojmë atë tragjedi që na ka ndodh. Gjithmonë ata që kanë ardhur, qoftë gazetarë apo njerëz të zakonshëm, unë e kam treguar ngjarjen. Dhe jo vetëm unë, por të gjithë duhet të tregojnë se çfarë i ka ndodh grave në të gjithë ato shtëpi dhe jo që heshtja të jetë një zgjidhje. Kështu që po, unë po ndihna e fortë”, thotë Qerkezi.
Përveç këtij bashkëbisedimi mes moderatores dhe këtyre dy grave, krejt në fund ishte publiku ai që kishte pyetje të shumta për të dëgjuar akoma më shumë nga to.
Paragjykimet pas filmit “Zgjoi”
“Ai që donë të logjikojë dhe me pa një film, e din se filmit i shtohen dhe i mungohen disa aspekte. Unë nuk jam artiste me ditë filmin por e kam pritur shumë mirë. Por ata që nuk kanë dashur dhe ata që nuk dojnë të kuptojnë realitetin, nuk i ka pëlqyer fare. Unë përsëri edhe pas publikimit të filmit, jam ballafaquar me komentet. Ndoshta pa fillu rrugëtimi i filmit, kanë folur në mënyrë të ndryshme por jo në rrjete sociale, tash të njëjtët njerëz nëpër rrjete sociale flasin. Unë do të kërkoj nga shteti që përsëri të krijohet një film e tash ata njerëz që kanë paragjykuar dhe janë sjell ashtu, të dalin me emër e mbiemër, me fakte, data”, përgjigjet Fahrije Hoti në njërën nga pyetjet e drejtuara për të.
Ajo tutje tregoi se ka pasur raste që disa njerëz kanë hyp në mur në orët e vona të natës e kanë bërë me gisht brenda vendit të punës të saj në ndërrimin e natës, e ka të tjerë që kanë dalë e i’a kanë zënë rrugën, e tjerë kanë dalë edhe nëpër dyqane dhe i kanë hapur kapakët e kavanozave të ajvarit, vetëm që t’i dalë era e ushqimi të prishet.
“Ndoshta nuk kanë ndodh skenat e dhunimit se në mos kam pasë allti, kom pas shati”, potencon ajo.
“Unë kam punuar me gratë që nga viti 2000 me organizimin e protestave e deri më sot, dhe asnjëherë nuk do të dorëzohem. Filmi flet për burrat e Krushës, për njerëzit e ndërgjegjshëm si vjehrri, por flet edhe për njerëzit e pandërgjegjshëm që kanë ndenjur duke pi alkool në Krushë e na kanë pa neve duke pi kafe e kanë paragjykuar. Ata që kanë paragjykuar, tash i kanë nga tri puna nëpër institucione dhe rrinë pinë kafe e paragjykojnë përsëri”, thotë tutje Hoti.
Guxim pas guximi
“Të parët kanë thënë: ‘Nuk ki inat, nuk ki zanat’. Unë kam inatin në vetvete por në pozitivitet. Ti fol nëse donë gjithë ditën, por unë do të vazhdoj të punoj punën time. Por në rast se ty të dëmtoj, bëhu burrë e dil karshi. Unë kam kërkuar që përmes këshillit të fshatit, të gjithë burrat që janë prekur nga filmi, le të më vinë karshi. Le të ulen si burrat në zyre dhe jo si buburreca nëpër komente. Jo, se fëmijët e mi i shohin komentet. Nëse dëshiron të ballafaqohesh me të drejtën, vjen dhe ulesh karshi dhe unë të shpjegoj me data e me dëshmitarë”, përgjigjet Fahrije Hoti në pyetjen e radhës drejtuar saj.
“E marr guximin se fëmijët e mi kanë nevojë për punë dhe nuk dua t’ia falë Evropës fëmijët”, potencon ajo.
Fahrije Hoti gjithashtu tregon se e ka pasur një baba që ka punuar në biznes në ish-Jugosllavi dhe ka qenë një baba i denjë për familjen e saj. Ajo thotë se kanë luftuar, kanë mbajtur refugjatë, kanë shëruar njerëz të plagosur, i’a kanë pështjell plagët cdo mëngjës atyre dhe i kanë përcjellë deri në vend të vetë, kanë mbajt njerëz e i kanë hyp në autobus për Prizren, por pa marrë parasysh Hoti këtë nuk e konsideron diçka me të cilën ajo krenohet për ti dalë shtetit para për një rrogë 170 euro.
“Forca ime janë dy fëmijët e mi”, thotë ajo.
Përkrahja ndaj muzeut historik “Shtëpia tradicionale e familjes Qerkezi”
“Qytetarët e Gjakovës e kanë pritur shumë mirë shndërrimin e shtëpisë në një muze, por nga ana e burrit, nuk e kanë pritur mirë. Ndërsa, qytetarët e Kosovës e kanë pritur tejet mirë, qysh nga mosha e vogël e deri në atë madhore, përkrahja ishte e pranishme në secilin rast, duke më thënë të lumtë”, thotë Qerkezi.
Sipas saj, në vitin 2014, shtëpia është shpallur zyrtarisht muze nga Mimoza Kusari-Lila, me ndihmën e ish-Presidentit, Fatmir Sejdiu.
“Nuk më kanë përkrahur se nuk kanë dashur që shtëpia të bëhet një muze duke më dërguar edhe deri në Gjygj për të më vjedhur pasurinë”, shpalos ajo.
Tutje ajo tregon se Kosova për të nuk është ai vendi siç e ka ëndërruar ajo.
“Që 14 vjet, unë mendoj se Kosova nuk është formuar ashtu siç e kemi ëndërruar ne. Unë shpresoj se tash e mbrapa do të krijohet ajo për të cilën e kemi menduar për arsye se Kosova është Republikë, por më duket se është e përgjysmuar”, thotë Qerkezi.
Ndërsa, Fahrija Hoti thotë se familjarët e Qerkezit, duhet t’ia kapin duart e të ecin përpara së bashku me Ferdonijen dhe jo të paragjykojnë.
“Kosova është e zbehtë se i mungojnë edhe 1600 persona të pagjetur. Përderisa, familjarët që presin të paktën për një informacion, që janë të vrarë dhe i’u bëhet një varr që fëmijët e tyre ta vizitojnë, atëherë ndoshta Kosova do të ishte më e lirë. Duhet ta dimë vlerën e kësaj dite sepse është dhënë shumë gjak për këtë ditë e këtë vend. Sot ne kemi një nënë që ka lëshuar shtëpinë-muze, dhe tregon dhimbjen e luftës, familjarët e saj duhet t’ia kapin duart e të ecin përpara së bashku me të”, thotë Hoti.
Vështirësitë e Ferdonije Qerkezit dhe Fahrije Hotit
“Unë i kam edhe katër vëllezër të tjerë, por familja e ngushtë e imja më mungon më së shumti”, thotë Qerkezi.
Kurse, Fahrije Hoti përgjigjet se njëra ndër vështirësitë më të mëdha në jetën e saj ka qenë momenti kur ajo ka identifikuar personat e pagjetur.
“Më së vështiri ka qenë kur kam shkuar të identifikojë personat e pagjetur. Ajo ka qenë gjëja më e vështirë ku në morg i identifikova dy trupa, por xhaketa e burrit tim ka qenë e dyshimtë dhe nuk e kam pranuar që është ai. Unë isha e vetëm grua në familje që shkova në morg”, shpalos Hoti.
Suksesi i produkteve të biznesit të Fahrije Hotit
“Në vitin 2022, në 12 shtete të Evropës, ka arritur produkti im. Por ka edhe shumë kërkesa të tjera dhe pse tash kemi një objekt modern që është ndihmuar nga Bashkimi Evropian në bashkëpunim me kooperativa. Ne jemi prezent në 12 shtete të Evropës ku kërkohet produkti ynë dhe numri i punëtorëve për momentin është diku rreth 45 persona. Kam filluar vetëm në vitin 2005, tash jemi 45 punëtore të rregullta që punojmë. Ne kemi punuar ndonjëherë vetëm dy muaj, tash punojmë 12 muaj. Në kohë të sezone punojmë me 100 persona dhe i kemi diku mbi 70 fermerë me kontrata të mirëfillta që na furnizojnë me lëndë të parë. Por, asnjëherë nuk jemi dorëzuar për tregun vendor”, tregon Hoti.
Sipas saj, është një fat i madh që një fshat me 7000 mijë banorë nuk ka mungesë të asnjë pike infrastrukture për arsye se Krusha është një zonë industriale, zonë bujqësore, kultivohen të gjitha kulturat, përpunohen dhe në fund vërshojnë tregun e Evropës.
“Nuk ka kënaqësi më të madhe se përgjatë prezantimit të filmit nëpër Evropë, unë kam pasë fatin që ti takoj edhe prodhimet e mia nëpër dyqanet atje. Sidomos në SHBA, ku para se të shkoja unë atje, ishte prodhimi i ajvarit tim që arriti para meje”, përfundon Hoti.
E në këtë mbrëmje ku i gjithë interesi i të pranishmëve ishte të dëgjojë gjithë rrëfimin e rrugëtimit të këtyre dy grave, që ishte jashtëzakonisht sfiduese por në të njëjtën kohë edhe inspiruese, para të pranishmëve u interpretua edhe poezia “Cigarja” e Mehmet Krajës nga një person në publik, i cili i’a dedikoi këtë poezi, këtyre dy nënave aq të fuqishme.
Gjithë kjo dhimbje e tyre u shoqërua me një sukses që tash e gjithë bota ka mundësi ta shoh, ta dëgjojë e të bëhet pjesë e historisë së Kosovës, teksa ishin duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta që kapluan atmosferën për të përmbyllur kështu këtë mbrëmje me një admirim dominues ndaj këtyre dy grave, ndjenjë kjo që u shpreh nëpërmjet fotografive, bashkëbisedimeve dhe muzikës shqiptare që po plasohej në të gjitha muret e hapësirës.
*Ky event është mbështetur nga Uji Rugove. / KultPlus.com
Me rastin e 14 vjetorit të Ditës së Pavarësisë, sot në Bulevardin “Nënë Tereza” dhe Sheshin “Zahir Pajaziti”, kuadratet e njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës, së bashku me ato të Policisë së Kosovës, parakaluan para qytetarëve.
Ceremonia e parakalimit, u realizua me urdhrin e Komandantit Suprem të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Presidentes së Republikës Vjosa Osmani, dhe të drejtuar nga Zv. Komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi.
Siç njofton komunikata dërguar mediave, aktivitetet festive sot kanë filluar që nga mëngjesi me ngritjen ceremoniale të Flamurit Shtetëror pranë institucioneve qendrore të vendit, duke vazhduar me homazhe dhe nderime në Kompleksin Memorial në Prekaz dhe Komplesin e Varrezave në Velani të Prishtinës, ku u nderuan Komandanti legjendar Adem jashari dhe Familja Jashari, Presidenti Historik, Ibrahim Rugova dhe Simboli i Qëndresës Kombëtare, Adem Demaçi. / KultPlus.com
Në kuadër të manifestimeve të organizuara nga Komuna e Mitrovicës për nder të Pavarësisë së Kosovës është edhe koncerti i sopranos kosovare që po prek majat e suksesit nëpër botë, Elbenita Kajtazi, përcjell KultPlus.
Koncerti do të mbahet sot, më 16 shkurt nga ora 18:00.
KultPlus ua sjell njoftimin e plotë:
Ejani të festojmë bashkë 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
Mysafire speciale Elbenita Kajtazi, sopranoja kosovare me suksese ndërkombëtare do ti sjell publikut të Kosovës magjinë e skenave botërore.
Kori i fëmijëve ‘Siparantum’ do të mbajnë koncert për nder të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, përcjell KultPlus.
‘Siparantum Kids’ me dirigjent Memli Kelmendi do të mbajnë koncertin në Kino Teatrin ‘Jusuf Gërvalla’ në Pejë nga ora 18:00.
Ky koncert do të mbahet në kuadër të manifestimeve për 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, që organizon Komuna e Pejës, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport./ KultPlus.com