Për herë të parë sheh dritën e botimit romani i parë i Santorit, “Il Soldato Albanese per L’Impero Ottomano del 1420” i shkruar në italisht, i mbetur për 157 vite në dorëshkrim.
Vepra rezulton të jetë hartuar e gatshme për botim, në variantin e tretë të saj, si vullnet i fundmë i autorit, rreth vitit 1864. Dorëshkrimet e romanit ndodhen në Bibliotekën Qytetëse të Kozencës.
Francesk Anton Santori njihet si krijuesi i romanit të parë të shkruar në gjuhën shqipe “Sofia e Kominiatëve”.
Por me romanet në italishte “La figlia maledetta” (Cosenza 1863) dhe “Il soldato albanese” ai vendos një tjetër gur fillese në historinë e letërsisë shqipe: atë të krijimit të romanit të parë të shkruar në gjuhë të huaj nga një shqiptar, duke i paraprirë romanit të Sami Frashërit “Taaşşuk-u Tal’at ve Fitnat” (Stamboll 1872) dhe romanit të Pashko Vasës “Bardha de Temal, scenes de la vie albanaise” (Paris 1890).
Kjo vepër u përgatit nga tri studiues e botues të dorëshkrimeve santoriane: parathënia prezantuese nga Italo C. Fortino dhe studimet hyrëse e transkriptimi nga Oreste Parise e Merita Bruci.
Kjo vepër i kushtohet kujtimit të Giusy Barci-it, pasardhëse e Santorit dhe albanologut Gianni Belluscio. Faqet e para të veprës mund t’i shikoni në sitin e Shtëpisë Botuese ARACNE duke shtypur linkun: https://www.aracneeditrice.eu/anteprime/9791259941053.pdf / KultPlus.com