148 vjetori i lindjes së Gjergj Fishtës

Politikani, kleriku, shkrimtari Gjergj Fishta lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871.

Që 6 vjeç e dërguan në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880 vazhdoi studimet në Kolegjin Françeskan në Troshan, ku mbaroi dhe shkollën e mesme. Ai ishte nxënës i poetit arbëresh Leonardo De Martino. Më 1886 vazhdon studimet për filozofi dhe teologji në Bosnjë. Më 1893 u kthye në Shqipëri dhe më 1984 filloi punën si profesor i gjuhës shqipe në Seminarin e Troshanit.

Deri më 1899 Fishta shkruan me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të atij viti ai bëhet bashkëthemelues dhe pjesëtar aktiv i shoqërisë “Bashkimi”, të cilën e drejtoi poeti Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe. Më 1902 emërohet drejtor i shkollës Françeskane në Shkodër. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”, ku u zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit.

Më tetor 1913 Fishta themeloi revistën “Hylli i dritës” dhe ishte drejtor i saj. Më 1916 botoi revistën “Posta e Shqypnisë”. Po më 1916-tën së bashku me Luigj Gurakuqin, Ndre Mjedën, Mati Logorecin etj. themeluan Komisinë Letrare në Shkodër. Nga fillimi i prillit 1919 dhe gjatë vitit 1920 është Sekretar i Përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës në Parlamentin Shqiptar. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të Parlamentit zgjidhet Nënkryetar. Vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali.

Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Ai nxjerr botimin e plotë të veprës së madhe “Lahuta e Malcis” (1937). Fishta duke qenë njohës i latinishtes, greqishtes së vjetër, italishtes, frengjishtes, e gjuhëve slave. Veprimtaria e tij letrare, përveçse në librat u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, ku ai përdori 24 pseudonime.

Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931 Greqia i dha dekoratën “Foenix”. Më 1939 Italia e bëri anëtar të Akademisë së saj. Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940. / rtv21 / KultPlus.com