Është hartuar projekti përfundimtar për ndërtimin e stadiumit të Gjilanit, për të cilin janë ndarë 15 milionë euro, shkruan KultPlus.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, përmes një postimi në facebook ka bërë të ditur se është hartuar projekti përfundimtar për Staduimin e Gjilanit, dhe se punimet për zbatimin e këtij projekti do të fillojnë sa më parë.
“Projekti përfundimtar i Stadiumit të Gjilanit, i cili mungonte, tash është hartuar dhe i gatshëm për zbatim ndërsa buxheti i nevojshëm për financimin e zbatimit veçse është siguruar.
Në marrëveshjen e sotme me kryetarin Alban Hyseni, zotuam 15 milionë euro për ndërtimin e stadiumit. Procedurat e nevojshme për zbatimin e projektit do të fillojnë menjëherë dhe punimet në tërësi do të nisin sa më parë”, thuhet në postim.
Ministri Çeku ka deklaruar gjithashtu se me vendosmëri po punohet në realizimin e planit intensiv për zhvillimin e Lojërave Mesdhetare 2030.
“Për shkeljet që janë gjetur në të kaluarën e këtij stadiumi, tanimë të kualifikuara si të tilla edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit, ndaj palëve të përfshira po përgatitet kallëzim penal.
Me vendosmëri po e realizojmë planin investiv për Lojërat Mesdhetare 2030. Po krijojmë një të ardhme më të mirë për sportin!”, ka thënë ministri Çeku./KultPlus.com



